Durrës, zbulohet banda e hajdutëve të makinave
DURRËS- Policia e Durrësit ka arritur që të zbulojë pasditen e djeshme një sërë vjedhjesh të kryera nga një student i juridikut në një fakultet privat në kryeqytet dhe një 28- vjeçar nga Fieri. Operacioni policor i koduar “Gjurma” ka zbardhur gjurmët e disa vjedhjeve të makinave luksoze në plazhin e Durrësit dhe rrethinat e tij. Ishin gjurmët e gishtërinjve ato që çuan blutë tek studenti 24 -vjeçar i Juridikut Dritan Selmani dhe miku i tij Maringlen Miftari. Përveç makinës së vjedhur dhe disa pjesëve të këmbimit të çmontuara prej makinave të dyshuara si të vjedhura, juristit të ardhshëm i janë gjetur edhe 82.4 gram lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Por asnjë prej tyre nuk është kapur nga ana e policisë.
Burimet e policisë pohuan se prej kohësh kishin rënë në gjurmë të dy autorëve të vjedhjeve të makinave në zonën e plazhit. Vjedhja e fundit e tyre ishte kryer katër ditë më parë në sektorin e plazhit rreth orës 02.30. objekti i vjedhjes ishte një Benz me targa “544 KS 390”, pronë e një shtetasi nga qyteti Prizren që kishte ardhur për pushime në qytetin e Durrësit. Pas denoncimit që ka bërë i dëmtuari në polici për vjedhjen e mjetit janë bërë verifikimet përkatëse që i kanë drejtuar hetuesit tek dy të dyshuarit. Ata i kishin fshehur makinat pranë vendbanimeve të tyre dhe më pas i çmontonin për t’i shitur me pjesë. Në mjetet e vjedhura ata mbanin edhe çelësat që përdorin për t’i hapur. Burimet policore bëjnë me dije se gjatë kontrollit të befasishëm që i u bë banesës së shtetasit Mariglen Miftari, u bë e mundur gjetja e bllokimi në cilësinë e provës materiale e autoveturës në fjalë si dhe e disa çelësave e pajisjeve të tjera. Sipas hetuesve, më pas u gjetën edhe tre makina të tjera të vjedhura. Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së Dritan Selmanit policia ka gjetur edhe 82.4 gram që dyshohet si heroinë. Përveç lëndës narkotike, në shtëpinë e tij janë gjetur edhe pjesët e çmontuara të makinave.