"Heroinën e gjeta në Gërdec kur pastroja predhat
TIRANË- Në një kohë kur po pastronte mbetjet e predhave në kraterin e Gërdecit, ushtari i njësisë komando pretendon të ketë gjetur heroinën që e dërgoi në burg duke ia shkatërruar të gjithë karrierën ushtarake. Gjatë ditës së djeshme u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve për shtetasin Elvis Arifaj, që u kap me një kg heroinë bashkë me kolegun e tij Martin Bocaj dhe shtetasin Mehmet Belba. Tre personat dhe sasia e lëndës narkotike u kapën katër ditë më parë në sheshin “Italia” në kryeqytet, gjatë operacionit të policisë të koduar me emrin “Kolonat” në momentin e shkëmbimit të drogës me sasinë e parave që agjenti i kamufluar duhet t’i dorëzonte tre të arrestuarve.
“Droga e kapur në makinën e tipit “Benz” me targa “TR 3431 M” është e imja dhe e kam gjetur në Gërdec, kur komandoja na kishte dërguar për pastrimin e zonës nga mbetjet e shpërthimit të 15 marsit. Qesen e kam gjetur gjatë kohës që po hiqja copat metalike të predhave të shpërthyera dhe nuk dija për përmbajtjen e saj. Menjëherë pas gjetjes së qeses, kam lajmëruar eprorin tim Martin Bocaj, i cili më ka thënë se bëhej fjalë për drogë. Ai më tha se kishte një të njohur, bëhej fjalë për shtetasin Mehmet Belba, që do të na orientonte për shitjen e saj. Këtë e mendova edhe unë pasi gjendja ekonomike në familjen tonë nuk është e mirë”- ishte pretendimi i tropojanit Arifaj, i cili për shkak të këtij arrestimi nuk do të mund të jetë më pjesë e grupit komando, që do të niset më 15 shtator për në Irak si pjesë e misionit paqeruajtës. Sipas burimeve nga prokuroria, agjenti i policisë kishte kohë që kërkonte për të blerë drogë pranë repartit të forcave komando në Zall-Herr, duke u shtirur si përdorues dhe shitës ambulant i lëndës narkotike. Kërkesa e agjentit të maskuar i kishte rënë në vesh ushtarit komando Martin Bocaj, i cili kishte kërkuar ndihmë për t’i gjetur heroinë ushtarit Arifaj, në mënyrë që të siguronin ndonjë të ardhur shtesë. Vetë Bocaj kishte njohje familjare me shtetasin Belba, i cili mendohet të jetë pronari i vërtetë i lëndës narkotike, dhe pas kontakteve të ndërsjellta u ra dakord që t’i shisnin agjentit të policisë sasinë e kërkuar të drogës. Fillimisht, agjenti për tu siguruar që malli që do sillnin është heroinë, i kërkon ndërmjetësit Bocaj të sjellin mostra.
Sipas akuzës, Bocaj bashkë me të njohurin e tij Belba, janë takuar në dy raste duke i dhënë agjentit mostrën e kërkuar, që më pas “blerësi” ka porositur sasinë prej një kg heroinë, sasi kjo e siguruar nga Belba dhe pas shitjes së saj, dy komandot do të përfitonin nga 20 mijë lekë të reja secili. Pas paketimit të drogës, Bocaj ka rënë në kontakt me agjentin e maskuar nëpërmjet telefonit duke lënë takimin tek sheshi “Italia” për shkëmbimin e mallit. Aty ishte vendosur mes tre të arrestuarve që drogën ta dorëzonte tek agjenti ushtari Arifaj, por agjenti nuk ka pranuar të dalë nga makina për dorëzimin e mallit pasi kishte njohje me ushtarin Arifaj. Kjo i detyroi kolegët e agjentit të ndërhyjnë për arrestimin e tre shtetasve, Belba, Bocaj dhe Arifaj. Sipas prokurorisë, pas arrestimit në dhomat e izolimit pranë Drejtorisë së Policisë, ushtari Arifaj ka pranuar nga dy “shokët” e tij që ta marrë përsipër pronësinë e drogës, pa ditur se po përgjoheshin në qelinë ku ishin izoluar.