Nga diaspora vijnë “Shtatoret e përjetësisë”
Instituti Kombëtar i Diasporës, pranë Ministrisë së Jashtme dhe Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” organizojnë promovimin e librit “Shtatoret e përjetësisë” të autorit Lekë Gojçaj. Në mjediset e hotelit “Tirana International”, të hënën, përveç botimit, do të shfaqet edhe një dokumentar për 12 shtatoret e bamirëses shqiptare Nënë Tereza, si vepër e familjes Gojçaj. Zoti Gojçaj është një veprimtar i shquar i diasporës shqiptare në SHBA dhe një prej lobistëve të mirënjohur të çështjes shqiptare në Uashington. Ai dhe familja e tij njihen për bamirësinë dhe bujarinë e spikatur, sidomos për forcimin e traditës kulturore shqiptare dhe lidhjeve të tyre me trashëgiminë me të shquar të kombit tonë. Lekë Gojçaj është sponsor i 12 shtatoreve të Nënë Terezës të vendosura në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Po kështu, ai dhe familja e tij janë disa prej sponsorëve të mëdhenj për ngritjen e Katedrales së Nënë Terezës në Prishtinë, siç dihet një nismë personale kjo e dr. Ibrahim Rugovës.