Durrësi ndan sot "Gladiatorët e Artë"
Edicioni i dytë i Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës ul siparin mbrëmjen e sotme. Pas projektimeve të tre filmave të fundit, të cilët do të mbyllen me "Il Divo" të regjisorit italian Paolo Sorrentino, i cili gjatë pjesës së parë të ditës do të mbajë edhe një masterclas në amfiteatrin antik të qytetit do të mbahet në orën 21.00 ceremonia përmbyllëse. Natën e mbrëmshme u shfaq për publikun "Tre majmunët" nga regjisori turk Nuri Bilge Ceylan, si edhe premiera e filmit të regjisorit Artan Minarolli "Gjallë", i vetmi film shqiptar në konkurrim. Që prej datës 22 gusht, gjatë ditëve të festivalit janë shfaqur 18 filma, të cilët kanë konkurruar në dy seksione: Balkan World/Botë Ballkanike dhe Contemporary Visions/Vizione Bashkëkohore. Ashtu si edhe një vit më parë, ishte parashikuar edhe kinemaja retrospektive, që këtë vit i ishte kushtuar vetëm regjisorit shqiptar, Dhimitër Anagnosti. Gjatë ditëve të festivalit, kanë qenë të ftuar aktorë dhe regjisorë të filmave në konkurrim. Ndërsa sot në darkë juria do të shpallë fituesit. Juria Contemporary Vision ka si president Rik Vemeulen, koordinator dhe konsulent për "International Film Festival" në Rotterdam (IFFR), drejtor i "Transilvania International Film Festival" (Cluj-Napoca) në Rumani, drejtor i Festivalit "Noordelijk Film Festival" (Leeuwarden), Holandë. Ndërsa juria e kritikës drejtohet nga Deborah Young, drejtore artistike e Festivalit të Taorminës. "Golden Gladiator" do të shkojë për filmin më të mirë të festivalit, ndërkohë që do të ndahen edhe çmimet e tjera si
Çmimi i Jurisë për regjisorin më të mirë, Çmimi për Aktoren dhe Aktorin më të Mirë, Çmimi për Filmin më të Mirë Ballkanik, Çmimi i Karrierës dhe Çmimi i Kritikës së Filmit.
Çmimi i Jurisë për regjisorin më të mirë, Çmimi për Aktoren dhe Aktorin më të Mirë, Çmimi për Filmin më të Mirë Ballkanik, Çmimi i Karrierës dhe Çmimi i Kritikës së Filmit.