E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e Sevasti Qiriazit, sot një gërmadhë

Ngrehina ndërtesash, tërësisht të braktisura, si fantazma të një kohe të shkuar sheh disa në rrugët e Korçës. Pas ndonjë rrethimi të ndryshkur telash, ndonjë tufë shkurresh që rriten lirshëm, apo ndonjë pirgu plehrash, dallon mure që përtueshëm vazhdojnë të mbajnë ndonjë pjesë çatie. Këto banesa karakteristike e kanë humbur shkëlqimin. Ndërsa në një pjesë të madhe të tyre, një pllakë e gdhendur, vendosur diku në anë, të kujton se ato mure mbajnë edhe histori. Kanë qenë dëshmitare të ngjarjeve atdhetare apo kulturore. E tillë është edhe godina së cilës i afrohemi duke kaluar në anë të një lokali modern. Që nga rruga arrin të dallosh shumë pak prej saj, në hapësirën boshe mes godinave që e kufizojnë. Nuk ka rrethim. Vetëm barishte dhe shkurre. Pamja që të ofrohet është mjerane. Mure thuajse të zhveshur, dërrasat e pjesës ballore që duket se qëndrojnë veçse për inerci, dritare të zëna me kartonë dhe objekte që së jashtmi nuk dallojnë mirë, sa për të penguar futjen e njerëzve brenda godinës. Kyçi që mbyll portën e dalë boje nuk të lë dyshime se është një godinë e braktisur. Dhe jo nga ato të zakonshmet. Në këtë ndërtesë dykatëshe është hapur shkolla e parë shqipe për vajza. Atëherë, kur Sevasti Qiriazi, në një kohë kur në Korçë mësohej greqisht për fëmijët e krishterë dhe turqit e arabisht për myslimanët, hap të parën shkollë të vajzave ku mësohet shqip. Ishte 23 tetori i vitit 1891. I vëllai, Gjerasimi, iu bashkua në këtë ndërmarrje të vështirë. Që në vitin e parë numri i nxënëseve u rrit në 27. Më vonë shkolla kishte çdo vit 30-50 nxënëse. Edhe në këtë shkollë mësuan vajza të besimeve të ndryshme. Mësueset e para të saj ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, më vonë edhe Polikseni Luarasi e Parashqevi Qiriazi. Gjithçka bëhej në emër të idealeve. Një kureshtar që e ka lexuar apo e ka dëgjuar historinë e kësaj godine, vështirë të gjejë ngjashmëritë. Aty ku dikur luftohej për rilindje, ka vetëm gërmadha. Gjendja është e njëjtë edhe në pjesën e pasme, e cila gjithashtu ka funksionuar si hyrje. Duhet të kalosh në një rrip të ngushtë anësor, mbuluar me pemë për të vajtur në anën tjetër. Ndërtesa të reja, në përshtatje me kërkesat e kohëve moderne, i bëjnë karshillëk kësaj godine të harruar. Këtë përshtypje ta përforcon edhe më shumë një banesë e vogël ngjitur me të, një dhomë e errët ku paskan banuar ca qiraxhinj. Banorët tregojnë se para dy vitesh, në pjesën hyrëse ka pasur një tabelë që godina mbrohej nga shteti si monument kulture. Tashmë as atë s‘e gjen aty, ndonëse kjo shtëpi është bërë pjesë e listës së monumenteve të kulturës më 10 qershor të vitit 1973. Mungesa e përkujdesjes është e qartë. Minimalisht as nuk është pastruar territori përreth saj. Për ndonjë projekt vizitueshmërie as që mund të mendohet. Justifikimi i përhershëm mbeten fondet e pakta që institucionet përkatëse zotërojnë dhe investime të mëdha që objekte të tilla kërkojnë. E lidhur me një çast të rëndësishëm historik, me figura që po ashtu kujtohen në përvjetorë të mëdhenj, siç ishte rasti i Kongresit të Manastirit, fati i kësaj godine vite më vonë duket se është vetëm një: shkatërrimi. Dhe duket se nuk do të jetë e vetmja në Korçë. Ato që shfrytëzohen sot për institucione shtetërore, apo ku kryhen aktivitete, i kanë shpëtuar kësaj harrese. Një pjesë e mirë e historisë së këtij qyteti të traditave në një të nesërme të afërt do të gjendet vetëm në letër, e shkruar prej atyre që hartojnë tekste. Përkrah mund të ketë edhe ndonjë fotografi të vjetër, sa për të kujtuar se kjo godinë në të vërtetë ka ekzistuar. Dhe në këtë moment të dytë, sigurisht që në vend të kësaj godine, ku vajzat korçare patën shkollën e parë shqipe, do të jetë ngritur ndonjë ndërtesë funksionale për kërkesat e tregut, aspak e ngjashme me këto dy kate që përpiqen me forcë të qëndrojnë mbi kolonat e shekujve të shkuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›