Durrësi rekord turistësh, ndryshimet në zonën e plazhit tërheqin më shumë vizitorë

Qyteti i Durrësit është i tejmbushur me pushues të shumtë. Ata që nuk e tradhtojnë këtë plazh janë pushuesit nga Kosova, të cilët shprehen të kënaqur edhe me ndryshimet që kanë parë këtë vit në zonën e Plazhit.
“Plazhi është i mirë, kushtet janë të mira. Ka përmirësime shumë nga viti i kaluar”, thotë një pushues.
Një emigrant shqiptar që punon prej vitesh në Itali, thotë se tashmë ka ardhur koha që vetë banorët dhe pushuesit të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka turizmi dhe sjelljen ndaj tij.
“Ka shumë shumë ndryshim, ka më shumë organizim. Por mund të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë si popull, duhet të kemi më shumë kulturë”, shprehet ai.
“Çdo vit po përmirësohet, më mirë jemi, ushqimi është i mirë, deti është i mirë”, thotë një tjetër pushues.
Durrësi pritet të regjistrojë këtë vit një numër rekord turistësh, ku vlen të theksohet se këtë vit ka pasur shumë të huaj që kanë zgjedhur për të pushuar pikërisht këtë qytet.
Gazetare: Megi Mëhilli
/rtsh/