E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e kullotave, 19 persona të proceduar

SHKRUAN: Bledar Shehu 12-08-2011 12:22

Gjirokastër- Janë 19 personat e proceduar penalisht për zjarret e verës. Rrikthimi gjatë ditëve të fundit i vatrave masive të zjarrit në Qarkun e Gjirokastrës ka bërë që policia të rrisë nivelin e punës së saj në drejtim të zbardhjes së plotë të shkaqeve të çdo vatre zjarri. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, ka arritur në 19 numri i personave të proceduar penalisht për zjarrvënie të qëllimshme. “Pjesa më e madhe e tyre janë barinj që shfrytëzojnë kullotat malore, ndërkohë që 4 prej tyre janë arrestuar, ndërsa 15 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë”, thonë burimet policore. Së fundi, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë ndaluar një banor në zonën e Lunxhërisë, Gjirokastër pasi dyshohet se është shkaktar i një zjarri masiv i cili përfshiu periferinë e disa fshatrave. 71-vjeçari, Konstandin Poçi, nga fshati Këllëz, është ndaluar nga policia pasi i ka vendosur zjarrin një sipërfaqeje të madhe kullote në pronësi të fshatit Dhoksat, në vendin e quajtur Kodra e Bllokut, me qëllim rigjenerimin e kullotës. “Por si rezultat i erës së fortë zjarri i ka dalë nga kontrolli dhe për pasojë flakët janë përhapur në një sipërfaqe shumë të madhe, duke djegur dhjetëra hektarë kullotë si dhe kanë dëmtuar një vresht me 60 rrënjë hardhi dhe 10 rrënjë ullinj”, thonë burime në grupin hetimor. Gjithashtu flakët e zjarri janë afruar fare pranë banesave në periferi të fshatit Valare, por ndërhyrja në kohë e efektivave zjarrfikës, policisë dhe banorëve të zonës ka shmangur dëmet që mund të shkaktonte zjarri. Ditën e enjte Drejtoria e Policisë në Gjirokastër ka kërkuar nga barinjtë dhe banorët e fshatrave të komunave të Qarkut të tregojnë kujdes, të mos shkaktojnë zjarr në kullota. “Ata persona që kanë për qëllim djegien e kullotave për rigjenerim e tyre të heqin dorë, pasi kjo është vepër penale dhe do të përgjigjen ligjërisht”, ka pohuar policia e Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›