Dy aksidente në Lezhë, dy të vdekur nga përplasjet
Lezhë-Dy aksidente brenda 30 minutave kanë ndodhur dje në rrethin e Lezhës, në të cilat për pasojë kanë humbur jetën dy persona. Aksidenti i parë ka ndodhur në rrugën nacionale Lezhë – Milot. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, aksidenti i parë ka ndodhur në afërsi të rrethrrotullimit të fshati Ishëm Lezhë, ku drejtuesi i mjetit, Simin Biba, ka humbur kontrollin e mjetit tip BMW duke dalë nga rruga e përfunduar në një kanal në anë të rrugës, i cili ka qenë i thellë. Si pasojë e disa saltove të makinës, ai ka humbur jetën në vend, ndërsa janë plagosur rëndë dy pasagjerët që ndodheshin në mjetin e tij, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje kritike për jetën. Ndërsa mendohet se shkak i aksidentit ka qenë hyrja me shpejtësi në kthesën e rrotontos së këtij fshati, nga ana e drejtuesit të mjetit. Ndërsa policia po kryente ekspertizën e aksidentit në Ishëm Lezhë, një tjetër aksident ka ndodhur në po këtë rrugë nacionale. Një furgon me targa të huaja ka aksidentuar në fshatin në afërsi të kryqëzimit të Rrilës në orën 17.00 një këmbësor. Sipas burimeve të informacionit të policisë së Lezhës, mësohet se drejtuesi i furgonit ka përplasur për vdekje këmbësorin Nikoll Ademi, 14 vjeç, nga fshati Rrilë i Lezhës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndërsa më pas është larguar në drejtim të paditur, me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia me të marrë njoftimin ka bërë të mundur edhe gjetjen e mjetit dhe drejtuesin të tij, duke e ndaluar atë.