E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër të plagosur nga aksidentet dhe sherret

Korçë- Sherret dhe aksidentet shkaktojnë 4 të plagosur në Korçë dhe 3 të arrestuar nga policia. Në mënyrë thuajse të përditshme policia e Korçës ndërhyn për të evituar ngjarje të rënda nga të cilat nuk shmangen as përgjakjet. Vetëm në 24 orët e fundit mësohet se janë regjistruar dy sherre me tre të plagosur dhe një aksident automobilistik me një tjetër të dëmtuar. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë, mësohet se Nertil Satellari 20 vjeç dhe Markeljan Jonuzi 21 vjeç, të dy nga Korça, janë arrestuar pasi kanë plagosur me mjete të forta dy shokët e tyre R.M. 25 vjeç dhe N.K. 20 vjeç, pas një debati për një vajzë. Grindja banale në një lokal në Korçë i ka çuar dy të rinjtë në spital, kurse dy të tjerët në pranga. Ndërkaq, një tjetër grindje që ka përfunduar me një të plagosur në spital jashtë rrezikut për jetën është ajo e N. Kores 22 vjeç, nga fshati Shqitas në Korçë. Altin Gjikona 27 vjeç banor i të njëjtit fshat është autor i ngjarjes në fjalë. Sipas të njëjtave burime autori është grindur me bashkëfshatarin e tij të cilin e ka plagosur me mjete të forta për një mur ndarës të shtëpisë së tij. Ndërkohë policia bën me dije se ka ndaluar shtetasin Piro Tabaku, 55 vjeç, pasi në aksin Korçë-Pogradec gjatë pasdites së kaluar ka aksidentuar një të moshuar i cili ishte duke u kthyer në fshatin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›