E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvarrimi, të vrarët e ’97-s “thirren të dëshmojnë” krimin

Ekspertiza në skeletin e dy viktimave në një pritë, që synonte të vriste anëtarin e bandës së Kateshit, mund të zbardhë dosjen e vjetër. Shënjestra e atentatit që u plagos rëndë, nuk pranon të dëshmojë. Prokuroria: 2 persona në kërkim, tre të tjerët janë vrarë

Dy persona të vrarë më 1997 janë rinxjerrë dje nga varret, për një ekspertizë që, sipas prokurorisë, mund të jetë “dëshmi” kyçe për dënimin e të akuzuarve për vrasjen e tyre. Zhvarrimi i kryer nga ekspertë është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, e cila ka rihapur hetimet për një ngjarje të bujshme në këtë qytet që i përket vitit 1997.

Dëshmitë e mbledhura nga akuza kanë zbuluar se 5 persona tashmë të identifikuar kanë qëlluar në drejtim të Kastriot Dervishit, që, sipas burimeve të së njëjtës prokurori, ishte asokohe pjesëtar i njërës prej bandave të qytetit, asaj që njihem me emrin e kapos Tan Kateshi, duke e lënë Dervishin të plagosur rëndë dhe duke vrarë dy të rinj që ndodheshin me të.

Viktimat e pritës ishin Arben Shkodrani dhe shokut i tij Alfier Sadushi. Të dy këta, për shkak të kohës dhe situatës, janë përcjellë për në banesën e fundit pa ekspertizën përkatëse dhe prokuroria që ka rihapur çështjen shpreson se kryerja e një ekspertimi për të verifikuar dhe dalë në konkluzione shkencore për arsyet e vdekjes së dy të rinjve, mund të ndihmojë çështjen e ngritur.

Të afërm të njërës prej viktimave thanë për mediat se kjo ngjarje duhej të ishte zbardhur më herët. “14 vjet i thonë një kohë e gjatë dhe aq më tepër që ai iku dhe nuk kthehet. Drejtësia të bëjë të vetëm”, u shprehën ata. Prokuroria njofton se janë marrë një varg dëshmish nga qytetarë të cilët janë ndodhur në lagjen “Vullnetari” ditën e krimit dhe është vërtetuar se shënjestra e kësaj prite në fakt ka qenë Kastriot Dervishi. Madje, sipas dëshmive, vrasësit u kanë kërkuar Arbenit dhe Alfirit të largohen, se kishin punë me Dervishin. Viktimat ndodheshin në sediljet e para të një makine “Opel”, dhe pas debatit autorët kanë qëlluar në drejtim të të treve.

Prokuroria deklaron se për këtë ngjarje, Kastriot Dervishi, që vuan dënimin me 23 vjet heqje lirie në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, për akuza të tjera, nuk ka dhënë asnjë dëshmi apo deklaratë. Prokuroria thotë se për këtë rast, ka tashmë dy autorë të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tre të tjerët, po ashtu të identifikuar, mësohet se kanë humbur jetën në përleshjet e bandave në vite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›