E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy aksidente në ditë në Tiranë, vdes kalimtari, plagosen dy bashkëshortët

Makina e aksidentuar

TIRANE Një kalimtar i moshuar ka gjetur vdekjen pas përplasjes nga një makinë pranë rrethrrotullimit të Doganës dhe një çift bashkëshortesh janë plagosur pasi makina e tyre ka përfunduar në lumin e Lanës. Dy aksidentet ndodhën mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Burime nga Policia thanë se aksidenti i parë ndodhi në afërsi të urës së Lanës, që ndodhet pranë shkollës Vasil Shanto. Një makinë tip Golf, ngjyrë e kuqe, me targë TR 1511 M, që drejtohej nga 62-vjeçari Fadil Dorzi, ka dalë nga rruga duke përfunduar në lumin e Lanës. Bashkë me të në makinë ndodhej edhe bashkëshortja e tij, Lindita Dorzi, 56 vjeçe. Sipas Policisë, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur në një moment kur drejtuesi ka pësuar gjendje të fikëti dhe ka humbur drejtimin e automjetit. Fatmirësisht, bashkëshortët nuk kanë pësuar plagë të rënda. Ndërsa aksidenti tjetër me pasojë vdekjen e kalimtarit 74-vjeçar Ibrahim Hoxhaj ndodhi disa orë më pas, në rrugën Dritan Hoxha, pranë rrethrrotullimit të Doganës së Tiranës. Hoxhaj është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku ka mbërritur në gjendje të vdekjes klinike dhe mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ta rikthyer në jetë për shkak të plagëve të rënda. Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin, ndërsa nga veprimet hetimore paraprake rezulton se këmbësori ka kaluar para makinës duke tentuar të kalojë nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Drejtuesi është gjendur në befasi dhe e ka pasur të pamundur shmangien e aksidentit.

Përplasen 3 makina
Pak minuta para mesnatës së të dielës, në rrugën Ibrahim Rugova, pranë urës së vogël të ish-Bllokut në Tiranë, ndodhi një aksident që fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz. Tri automjete u përplasën njëra pas tjetrës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Sipas Policisë, dy prej makinave që janë përplasur fillimisht me njëra-tjetrën ishin me targa greke dhe pas tyre është përplasur makina e tretë me targa të Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›