E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy anije kundër ndotjes në det, dhuratë nga Italia

Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit detar, qeveria italiane financoi blerjen e dy anijeve kundrandotjes me vlerë 750.000 euro, dhuratë për Brigaden ushtarake Detare shqiptare. 

DURRËS- Qeveria italiane ka financuar blerjen e dy anijeve të specializuara kundër ndotjes bregdetare. Anija e parë mbërriti sot paradite në portin e Durrësit, e imbarkuar në bordin e anijes ushtarake italiane “Caprera”.
Burime zyrtare nga Delegacioni Italian i Ekspertëve (DIE), me qendër në Tiranë, bënë të ditur se në kuadër të bashkëpunimit me Forcat e Armatosura shqiptare dhe duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit detar, qeveria italiane financoi blerjen e dy anijeve kundrandotjes me vlerë 750.000 euro, dhuratë për Brigaden ushtarake Detare shqiptare.
Burimet shtuan se në këtë mënyrë zgjerohet spektri i bashkepunimit italo-shqiptar duke kapërcyer sektorin e ngushtë ushtarak dhe duke siguruar kapacitete operacionale shumë të mira në luftë kundër ndotjes detare, çka do të jetë nje nxitje edhe per ruajtjen e ekosistemeve delikate nënujore.
Dy anijet, me gjatësi rreth 16 metra dhe gjërësi 4 metra, janë të pajisura secila me 2 motorë prej 230 kuaj fuqi.
Anijet janë të pajisura me një sistem hidraulik (SKIMMER) për rikuperimin e materialeve të ngurta që qëndrojnë mbi ujë dhe me një sistem hidraulik me cilindra rrotullues për mbledhjen dhe spastrimin e hidrokarbureve.
DIE bashkëpunon me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura që nga viti 1997 dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e standardeve të NATO-s.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›