E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy çmime me “ Dy rrëfime dashurie”

Filmi dokumentar “Dy rrëfime dashurie/ Two love stories” i regjisores kosovare Shota Bukoshi, mori çmimin për dokumentarin më të mirë vendor në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Një Botë”. Po ky film dokumentar pati marrë edhe çmimin për dokumentarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Tirana Film Fest” në Shqipëri. Në përgjithësi ky është çmimi i pestë me të cilët është shpërblyer ky film.

“Për çmimin në Tiranë jam gëzuar shumë sepse ka qenë në konkurrencë ndërkombëtare kurse për çmimin në festivalin “Një Botë” jam ndjerë e nderuar sepse ka pasur një juri të përzgjedhur dhe në shpjegimin e tyre, të cilin e lexova në internet, e kanë përmbledhur në mënyrë të qëlluar atë që unë jam munduar ta vizualizoj në film”, tha për Express, autorja Shota Bukoshi.

Skenari është bërë nga vet regjisorja, e cila paraqet pamje nga rrethi i jetës, i dashurisë, i punës dhe i humbjes, këto motive gërshetohen për të treguar dy rrëfime krejt të ndryshme ku shikuesi pa vërejtur hyn në jetët e këtyre njerëzve.

“Filmi flet për jetën e dy familjeve rome. Për konceptet e ndryshme të dashurisë, sfidat dhe për situatën e vështirë të këtyre dy familjeve. Për mua ka qenë e rëndësishme t’i tregoj rrëfimet personale të këtyre dy familjeve”, u shpreh Bukoshi. Njëri nga motivet që e ka shtyrë regjisoren ta realizojë një film për romët është ajo që në shumë filma për romët ku theksohet ekzotikja dhe krijohet një karikaturë apo shtrembërim i realitetit. Por për Bukoshin ka qenë e rëndësishme t’i tregojë rrëfimet personale.

Filmi është prezantuar edhe në festivale tjera ndërsa do të prezantohet në Kino Klubin “Kriterion” në Sarajevë, në Koeln (Gjermani) si dhe në Vjenë,(Austri). Bukoshi në fund tregon se është në përgatitje të një filmi të ri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›