Flokëgjatët dhe kokërruarit
Ese / Nuk ka dyshim se koka e rruar është një shenjë, një kumt. Le të kujtojmë se faraonët e lashtë, sefte iu rruanin kokën dhe më vonë iu prisnin gjuhën arkitektëve që ndërtonin piramidat e tyre.
Po kështu shtetet diktatoriale iu qethin kokën dyst të gjithë rekrutëve që i merrnin ushtarë. Kësisoj ata iu dystonin individualitetin dhe i bënin të gjithë njëlloj
1. Në një nga romanet e veta, Barbysit i mjaftojnë vetëm një grusht me fjalë për të karakterizuar njeriun nga personazhet: ai kishte mbi ballë një cullufe në formë presjeje. Kaq thotë. Ishte njëlloj sikur të kishte hequr mbi letër një vijë të vetme lapsi.
E, pra, pikërisht një personazh të kësisojtë, në vitin e largët 1974, vit kur Partia kishte nisur luftën kundër "shfaqjeve të huaja liberalo-borgjeze", e ndeshje në rrugët e qytetit tonë në trajtën e "gangsterit" të parrezikshëm N.V, që iu zinte pusi vajzave, që tallej haptas me kalecat e sigurimit, dhe që vërshëllente rrugëve këngë italiane.
Në xhepin e prapmë të pantallonave prej doku kafe kombinati mbante fshehur një thikë inoksi, shkëlqimi i bardhë i të cilës i ngjante më shumë një fekstitje estetike, sesa bardhësisë së dhëmbëve kërcënues.
Por një ditë para këmbëve të tij ndaloi një xingfu kineze, nga e cila dolën dy policë dhe një civil riosh me pardesy të bardhë, me syze të errëta dhe me kokën e qethur tullë. Ata e rrëmbyen nga krahët N.V që s'bindej, e "kashaisën" sipas mënyrës së tyre, dhe e shtynë me forcë drejt makinës.
E kam akoma para syve në formën e një imazhi, me këmishën e çjerrë copa-copa, me fytyrën e gjakosur, me flokët e ngritur përpjetë mu si gjethnaja e shelgjeve kur fryn stuhi.
2. Nuk e di pse, por, në kohën kur në rangjet e administratës së lartë janë shtuar njerëzit që e rruajnë kokën "tullë", fazani i fantazisë sime fluturon pikërisht drejt këtij imazhi, rrëmon me kthetra tokën e zezë humusore përqark tij me shpresën mos gjejë pak ujë që ta pijë, duke ulur sqepin dhe duke ngritur pastaj kokën lart e duke e shpupruar atë.
Dreq o punë!... A mos vallë qethja e kokës, zbulimi i pacipë i ashiqaritetit të lëkurës së saj, është thjesht një modë kalimtare, një mënyrë trendy e njerëzve që duan të duken ndryshe, apo kemi të bëjmë me shenja e kode që kërkojnë deshifrime semiologjike?
3. Një nga parabolat më të bukura të Testamentit të Vjetër është ajo e Samsonit dhe e Dalilës. Në këtë parabolë flitet për forcën e jashtëzakonshme të Samsonit, forcë e cila e ka burimin jo kund tjetër por bash mu tek flokët e tij.
Dalila, e dashura e tij, pas shumë peripecish e kuturisjesh, ua zbulon herën e tretë këtë mister farisenjve, të cilët e qethin dhe e lidhin pas shtyllave të tempullit. Samsoni me kokën e rruar është braktisur nga ndihma e Zotit.
Nuk e dimë nëse tek ky fakt tronditës kemi të bëjmë me një fakt të njëmendët burimor të Testamentit, apo me një fakt që vjen prej magjive të zeza, apo kabalës, të cilat, siç rrëfejnë shumë studiues, janë futur me mushtulli në Librin e shenjtë.
Shumë nga filozofët e lashtë, qoftë në përshkrimet letrare, qoftë në portretet, paraqiten me flokë të gjatë edhe kur kanë qenë në moshë të thyer dhe duhet t'u kishin rënë flokët. Sigurisht në këtë rast bëhet fjalë për flokë të rremë, pra paruke. Modeli i kësaj është Artistoteli. Ka gjasa që këtë ritual ta ketë huazuar aristokracia evropiane e shekujve të mesjetës, baronët dhe lordët e të cilëve paraqiten me paruke elegante.
4. Nuk ka dyshim se koka e rruar është një shenjë, një kumt. Le të kujtojmë se faraonët e lashtë, sefte iu rruanin kokën dhe më vonë iu prisnin gjuhën arkitektëve që ndërtonin piramidat e tyre.
Po kështu shtetet diktatoriale iu qethin kokën dyst të gjithë rekrutëve që i merrnin ushtarë. Duke vepruar kësisoj ata iu dystonin individualitetin dhe përveçësitë dhe i bënin të gjithë njëlloj: kokrra rëre në një shkretëtirë anonimati.
Koka e rruar taze, anipse mëton të duket si një gjest rebel, të ngjall një ndjenjë keqardhje e mëshirë me lakuriqësinë e troçtë, me nishanet e shenjat e veçanta që kanë lënë në të gurët dhe me kurorat e dasmës (njerëzve me dy kurora iu është taksur të marrin dy gra).
Makina e qethjes luan njëherazi edhe rolin e gomës edhe të lapsit. Ajo fshin shenja, kumte, e simbole të ashiqarta dhe shkruan (apo zbulon) të tjera.
Koka e rruar është një llambë fosforeshente dashurie që ndriçon e bën një dritë të bardhë nënshtrimi për shefin.
Ajo është edhe një ekran i rrumbullakët, një shkretëtirë mbi të cilën eprorët mund të shëtitin me këmbët e zbathura të fantazisë dhe ku rëra mund t'iu gudulisë gjithë këndellje hapësirën mes gishtave.
5. Ka gjasa që flokët e gjatë të nderohen e respektohen për shkak të funksionit të tyre estetik. Ata, duke qenë korniza e praruar e fytyrës, vlejnë ndonjëherë më shumë se vetë ajo.
Shumë piktorë, duke e quajtur pikturën diçka luksoze e aristokratike, janë interesuar tejmasshëm për kornizat e tyre. Krejt ndryshe ngjet me njeriun: duke qenë se ai s'e ka në dorë fytyrën e vet, pra krijimin, bën çka është e mundur me kornizën, pra me artizanalen.
Por arsyetimi s'është shterrues. Ndryshe nuk ka si shpjegohet pse Maria (jo e ëma, por ka gjasa ajo, tjetra, prostituta) ia terr trupin e lagur Jezu Krishtit pikërisht me flokët e saj. Pra duke i përdorur këta flokë edhe si peshqir edhe si tharëse.
Në shumë libra ku flitet për Zanafillën thuhet se Zoti e krijoi njeriun prej baltës. Duhet të themi se gjatë gjithë historisë së tij njeriu, përmes luftërave, vrasjeve, dhunës, i ka shfaqur pa reshtur cilësitë e lëndës me të cilën është mbrujtur. Flokët janë një shëmbëlltyrë e largët e barërave të stepave ku hingëllinin kuajt e egër. Nderimi për ta mund të jetë nderim për katragjyshen e kahershme, tokën.
6. Duhet të themi se shumë nga njerëzit e administratës që e rruajnë kokën tullë mund të kenë qenë dikur kallinj gruri gjithë duk e vesk, por që kombajna e politikës i ka përfshirë brenda rropullive të saj, duke i nxjerrë matanë dengje të verdhë kashte anonimati. Në këtë gjendje pa dinjitet, ata kanë qenë të detyruar të nxjerrin gjemba, zhguaj, a motruna jeshile, për të mbrojtur privilegjet e përfituara nga kërcënimi i të tjerëve.
Desmond Moris na kujton se kur dy majmunë hyjnë në një luftë, e cila fut në veprim tërë potencialin e agresivitetit që zotërojnë të dy, në një çast të caktuar, më i dobëti, kur mëton të paralajmërojë dëshirën për t'u dorëzuar, përgatit ritualet e nënshtrimit, nga të cilët më i sigurti është të paraqitet në pozicion seksual.
Ky ritual nënshtrimi është ruajtur gjer në kohët tona, më të shumtat e herëve i maskuar nën formën e ritualeve të pastrimit, apo të arketipave të modës. Koka e rruar është kodi i çmashkulloritetit. Është akti i nënshtrimit të gjallesës së dobët ndaj gorillës që quhet shtet. Vet fjala "qose", e përdorur në ligjërimet bisedore, i ka të dyja kuptimet në shqip: dhe mashkullin që ka rruar kokën, edhe mashkullin impotent.
7. Gangsterin e parrezikshëm të qytetit tonë, atë, pra, që i ngjante personazhit të Barbysit, dhe që identiteti i të cilit s'ishte pos tjetër veç ajo cullufe kapriçoze në formën e një presjeje të lëshuar mbi ballë, e lëshuan pas ca ditësh. Por në ç'gjendje!... Me rrobat e zhelosura, me flokët e qethur, totalisht të shpartalluar. Në ditët në vijim ai s'e mori më veten dhe gjeti një formë të ndërmjetme paraqitjeje: filloi t'i mbante flokët të qethur karé. Ashtu i ka edhe sot.
Njeriu që i bëri gjëmën, ai civili me pardesy të bardhë e syze të errëta, ndonëse në moshë të thyer, punon ende dhe sot si nëpunës gjykate. Flokët, bash si atëhere, vazhdon t'i qethë tullë... Pavarësisht se ndryshojnë sistemet, shteti, për çudi, seç ka një kënaqësi perverse kur ledhaton një kokë të rruar gjithë sevda nënshtrimi...