E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokonozi, rrëfimi në “Trans”

Edhe pse trajtimi në një roman i ngjarjeve të ditëve tona, veçanërisht i atyre që kemi përjetuar me intensitet të paharrueshëm, sikundër viti ’97, pritet me interes dhe me kureshtje nga të gjithë, megjithatë libra të tillë deri tani pothuajse kanë munguar në bibliotekat tona. Kjo ishte arsyeja që botimi i romanit “Trans” të D. Kokonozit, i cili prej disa javësh është i pranishëm në vitrinat e librarive të kryeqytetit, paraqet interes të veçantë për këndvështrimin me të cilin trajton një nga periudhat më të rënda që ka përjetuar vendi vitet e fundit. Besimi naiv se mund të fitosh duke punuar, por mund të bëhesh i pasur duke mos punuar, ka zbrazur xhepat e miliona vetave në botë dhe në fillim të viteve ’90 ka zënë vend edhe në mendjet e shqiptarëve. Të njohur për trajtën ekstreme me të cilën ata përvetësojnë çdo fenomen të ri politik a social, edhe krijimi i skemave financiare piramidale kthehet menjëherë në pikën më nevralgjike të vëmendjes së të gjithëve. Romani hapet duke treguar pikërisht se si po funksiononte një mekanizëm i tillë i frikshëm, i dalë jashtë kontrollit. Është një kapitull që ka rolin e një detonatori me aftësi shpërthyese të jashtëzakonshme. Gjithçka që do të ngjasë më pas ka në origjinë skena si ato që përshkruhen në këtë kapitull, skena në dukje të rëndomta e të pafajshme dhe që fillimisht as që të lënë të dyshosh se bartin një dramë kombëtare që nuk do të vonojë të shfaqet me gjithë dhunën e saj. Gjithçka përcillet nëpërmjet një gjuhe mjaft të përpunuar dhe të studiuar, veçanërisht kur është fjala për dialogët e shumtë. Ato janë përdorur me shumë rezultat për të bërë më të kapshme natyrën e brendshme të personazheve, vizionin e tyre social, përthyerjen e realitetit në botëkuptimin e secilit dhe gjendjet emocionale që përjetojnë. Si një risi e veçantë e këtij libri na vijnë edhe analizat e imta të gjendjeve të transit, një lloj kome kalimtare në të cilën e fut veten Niko Budina, personazhi qendror. Kemi të bëjmë me një lloj paraleleje me gjendjen e jermit që ka pushtuar vendit, një rrethanë inkoshiente që bart rrezikun e vetëshkatërrimit. Është fjala për një gjendje të veçantë të trurit, që e njohin mirë mjekët traumatologë, por që në këtë roman ka funksionin e një metafore, që shpreh tronditjen e thellë që përcjellin tek individi shembjet e mëdha tektonike që po pëson shoqëria në të cilën ai bën pjesë.
Natyrisht një gjë e tillë nuk do t’i shpëtonte edhe vëmendjes së politikanëve, që nisën ta vëzhgojnë së afërmi natyrën e një fenomeni të tillë, për të parë mundësinë se si mund ta kthenin ujin e tij në mullirin e tyre. Duke qenë ngjarje të njohura nga ne të gjithë, çdo lexues merr një pozicion që ndryshon nga ai i romaneve të një natyre tjetër. Ai në njëfarë mënyrë e sheh veten jo si lexues të thjeshtë, por ndihet së tepërmi në brendësi të ngjarjeve që trajtohen, madje ka krijuar një opinion të tillë për to, sa është e vështirë që gjithçka tjetër të mos e kalojë në filtrin e tyre. Pikërisht para një mëdyshjeje të tillë, kur ke dëshirë të shtosh diçka që ke përjetuar vetë, lexuesi ndjen se zotëron të gjitha elementët edhe për të kuptuar dramën që përjetojnë personazhe e veçantë të këtij romani apo turmat e humbësve fatkeq. Është një lloj interaktiviteti dhe dialogu me vetveten që të shtyn ta lexosh librin me një frymë deri në rreshtat e tij të fundit.
Kemi personazh që nuk përjetojnë ndodhi të zakonshme personale, por drama të vërteta, para të cilave ndihesh i pafuqishëm për të vepruar.
Pikërisht kjo valë e furishme dhune bën që personazhet të kenë mundësi të pakta ndikimi mbi gjithçka po ndodh rrotull tyre. Ata vetëm se pësojnë në dhimbje rrethanat që u imponohen. Në këtë pikëpamje, me shumë se sa heronj letrarë, në këtë roman na shfaqën më së shumti personazhe që kanë karakteristika të qarta të antiheroit, të njeriut të përthyer mbi dhimbjen e tij, që nuk mund të ndryshojë dot as fatin e jetës së tij e jo më atë të një vendi të tërë. Nga kapitulli në kapitull drama rritet në mënyrë të pandalshme, sa merr trajtën e një ankthi mbytës. Lexuesi shikon se si gjatë shtjellimit të kapitujve bluan fate njerëzish të pafajshëm, por njëkohësisht nuk mungojnë edhe personazhe të tjera që e kanë programuar vetveten apo janë programuar të nxjerrin përfitime të mëdha edhe në kushtet e një tragjedia kombëtare. Sikundër vetë personazhet edhe lexuesi mbetet i zënë në kurthin e ankthit ku kanë rënë personazhet e romanit.
Individi nuk mund t’i shpëtojë fatit të shoqërisë ku evoluon. Do të ishte jashtë realitetit nëse do të shihnin rënien e vendit me sytë e dikujt, në jetën e të cilit nuk ndodh asgjë.
Fraza e përpunuar, natyra e veçantë e personazheve, të cilët të duket se i ke njohur, i ke parë kalimthi në një kthesë rruge, apo dikur një mik të ka njohur me to.
Shtjellimi i harmonishëm kompozicional i librit dhe përdorimi interesant i retrospektivave për të plotësuar dhe dhënë në mënyrë më të plotë natyrën e personazheve dhe të mjedisit ku ata evoluojnë. Veçoria më e spikatur e personazheve të këtij romani është se ata jetojnë jetën e tyre pa synuar të ndikojnë në realitetin që i rrethojnë.
Në mënyrë të veçantë romani analizon raportet e shtypit dhe të mediave me realitetin, me mënyrën me të cilin ato e përcjellin ata në sytë e miliona vetave. Kur shikon natyrën e manipulimeve të shumta që bëhen në këtë fushë, me të drejtë ke dëshirë të besh pyetjen: nëse vërtet shtypi dhe mediat janë vëzhgues e analizues të shoqërisë në të gjitha shkallët e saj, po atëherë, cili është ai mekanizëm që kontrollon veprimtarinë e shtypit?
Këtij problemi që kërcënon në mënyrë të vazhdueshme çdo shoqëri, në ngjarjet e vitit 1997, siç del nëpër faqet e romanit, duhet t’i shtojmë edhe ekzistencën e një numri gazetarësh të cilët nuk manipulojnë thjesht për të përligjur profesionalisht praninë e tyre, por sepse kanë interesa të drejtpërdrejta që prekin personalitetin dhe të kaluarën e tyre. Në këtë rast kuptohet që dëmet që ata shkaktojnë janë të pallogaritshme edhe për vende më të konsoliduara se Shqipëria e mesit të viteve ’90.
Romani mbyllet duke të lënë një ndjenjë të thellë trishtimi, por edhe me përshtypjen se veprat letrare që ngihen mbi realitetin, prekin thellë botën e lexuesit dhe të shtyjnë gjithmonë në një përsiatje të natyrshme e të shëndetshme për fatet e individit në çastet e dramave kombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›