E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen shtatë reformatorë në Iran

Forcat iraniane të sigurisë kanë bastisur sot një numër të zyrave të opozitës, duke arrestuar me këtë rast së paku shtatë aktivistë kundër qeverisë, në kuadër të aksionit më të ri kundër lëvizjes reformatore në Iran, kanë njoftuar faqet e opozitës në internet dhe aktivistët.

Arrestimet u bënë vetëm një ditë pas vrasjes të së paku tetë protestuesve, gjatë demonstratave kundër qeverisë, gjatë festës më të rëndësishme në kalendarin religjioz shiit.

Gjakderdhja u kritikua ashpër nga udhëheqësit e opozitës, të cilat qeverinë e tanishme në Teheran e krahasuan me regjimin brutal, i cili u përmbys nga pushteti me anë të revolucionit islamik para tri dekadave.

Zhvillimet e sotme me gjasë do të thellojnë edhe më shumë armiqësinë mes qeverisë dhe lëvizjes reformatore.

Mahdi Karoubi, njëri nga udhëheqësit e opozitës, i cili ishte kandidat në zgjedhjet presidenciale në qershor, publikoi një kumtesë në internet, në të cilën shtroi pyetjen se si qeveria mund të derdh gjakun e popullit të vet, në ditën e Ashureve, ditën më të shenjtë religjioze të shiitëve.

Faqet e opozitës në internet njoftuan sot për arrestimin e së paku shtatë aktivistëve. Me këtë rast u theksua se janë arrestuar tre bashkëpunëtorë të ngushtë të udhëheqësit tjetër të opozitës, Mir Moussavit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›