E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy çmime për muzikë

Edhe pse sipas rregullores së MKRS-së të vitit 2010 parashihet që të jepen disa çmime për vepër muzikore, sivjet do të jepen vetëm dy: çmimi për vepër jetësore, i cili mban emrin e Niketë Dardanit si dhe ai për veprën më të mirë muzikore gjatë një viti. Arsye për këtë është mungesa e mjeteve financiare. Nga Arbër Ymeri më 27 prill 2011 në ora 14:32

Edhe pak ditë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do t’i publikojë emrat që do të marrin çmimet vjetore për muzikën, atë për vepër jetësore “Niketë Dardani” dhe për veprën më të mirë muzikore gjatë një viti. Në një prononcim për Express, Haqif Mulliqi, këshilltar i ministrit të kulturës Memli Krasniqi, tha se komisioni që është përzgjedhur e ka filluar punën e tij me kohë dhe tani nuk ka mbetur edhe shumë deri te finalizimi i kësaj çështjeje për këtë vit sa i përket këtyre çmimeve.

Dy nga emrat të cilët do të garojnë për çmimin kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani” janë kompozitorët Esat Rizvanolli, post mortum, dhe Rauf Dhomi. Është bërë e ditur se i pari është i propozuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ndërsa i dyti nga Fakulteti i Arteve – Dega e Muzikës në Universitetin e Prishtinës.
Ndërsa, për veprën më të mirë vjetore për muzikën do të garojnë Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Drinor Zymberi, Dafina Zeqiri dhe Kreshnik Aliçkaj.

Janë 12 vepra muzikore që janë në garë për të marrë epitetin e më të mirëve për këtë vit. Gjashtë prej tyre janë të kompozitorit Rafet Rudi, me nga dy kanë konkurruar Dafina Zeqiri dhe Drinor Zymberi, kurse me nga një vepër Menxhiqi e Aliçkaj. E gjithë kjo listë e garuesve është duke u shqyrtuar nga komisioni i caktuar për të përzgjedhur fituesit e edicionit të sivjetmë të çmimeve vjetore për muzikën.

Përkundër asaj që rregullorja e vitit 2010 parasheh disa çmime për vepër muzikore gjatë një viti, Mulliqi shprehet se një gjë e tillë ka qenë e pamundur që të mbulohet financiarisht nga Ministria e Kulturës. Një vendim të tillë e kishte marrë ish-ministri Beqiri, andaj në mungesë financiare do të ndahen vetëm dy çmime: për vepër jetësore dhe për veprën më të mirë muzikore të vitit.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” i jepet krijuesit, artistit apo studiuesit të muzikës, i cili është shtetas i Kosovës, për kontributin e tij të veçantë dhe të gjithanshëm në fushën e muzikës, ndërkaq Çmimet Vjetore për Muzikë u jepen krijuesve-kompozitorëve kosovarë të dalluar për vepër muzikore origjinale, të kompozuar brenda vitit.

Është me rëndësi të përmendet se në bazë të një rregulloreje të nënshkruar nga ish-ministri i kulturës Valton Beqiri, në të cilën thuhet se me qëllim të zhvillimit, avancimit, publikimit dhe promovimit të krijimtarisë muzikore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës themelon këto çmime vjetore për krijimtarinë artistike në fushën e muzikës: Çmimin kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani”, Çmimin për vepër vokale-instrumentale e skenike, Çmimin për vepër simfonike-koncertale, Çmimin për vepër kamertale, Çmimin për vepër orkestër kamertale, Çmimin për vepër të muzikës korale. Çmimet e veprave muzikore të vlerësuar jepen me të holla, të shoqëruara me nga një certifikatë.

Konkurrimi për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” dhe për çmimet vjetore bëhet individualisht apo përmes nominimit nga këto institucione: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Filarmonia – Opera e Kosovës, Fakulteti i Arteve – Dega e Muzikës, Baleti i Kosovës, Asociacionet e ndryshme të krijuesve nga fusha e muzikës.

Në bazë të rregullores së vitit të kaluar thuhet se për vlerësimin e veprave pjesëmarrëse në konkurs, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit emëron jurinë tre ose pesë antëarëshe, e cila përbëhet nga personalitetet prominente të artit muzikor nga Kosova dhe jashtë saj.

Çmimet në euro

Në bazë të rregullores së vitit 2010 shuma e çmimeve është si më poshtë:
Çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani” ka vlerën pesë mijë euro;
Çmimi për veprat vokale-instrumentale e skenike: shtatë mijë euro;
Çmimi për veprat simfonike-koncertale: pesë mijë euro;
Çmimi për veprat kamertale tre mijë euro;
Çmimi për vepra të muzikës korale: dy mijë euro.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›