E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shpronësimi i segmentit të autostradës nga Duhla për Arllat

Nga Express më 27 prill 2011 në ora 20:00

Kabineti qeveritar ka miratuar shpronësimin e segmenteve nga do të kalojë traseja e autostradës Vërmicë-Merdare nga Qafa e Duhlës në drejtim të Arllatit, devijim ky që pati nxitur reagimi në kohën kur u ndryshua. Kryeministri Thaçi ka thënë se një devijim i tillë është bërë me qëllim të kursimit të mbi 350 milionë eurove, ndërsa zgjatja e kohës do të jetë vetëm 7 minuta.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka dhënë përgjigje nëse do të bisedohet sërish në Kuvendin e Kosovës sa i përket ndryshimit të trasesë, duke thënë se ky është vazhdim i projektit dhe në këtë drejtim Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet.

“Unë mendoj se është vazhdim i projektit që ka qenë më herët dhe në këtë drejtim ne po angazhohemi. Edhe vendimet e sotme janë që të vazhdojë ai projekt, të kryhet me cilësi dhe me afat kohor”, ka thënë Kuçi.

Ai nuk ka qenë në gjendje të thotë nëse do të debatohet sërish për këtë çështje në Kuvend apo jo, por thjesht ka thënë se vendimet do të bazohen mbi vendimet politike që janë marrë me herët.

“Unë besoj se tani gjithë vendimet tona do të jenë mbi bazën e vendimeve politike që janë marrë më herët, në bazë të ligjeve dhe mundësive buxhetore. Është vazhdim i punimeve dhe i trasesë… Unë e dhashë përgjigjen time”, ka thënë ai.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palëve të tjera, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për verërat dhe Projektligjin për të drejtat e komuniteteve.

Në këtë të fundit, do të definohen edhe kroatët dhe malazezët si grupe etnike që kanë jetuar në Kosovë në mënyrë permanente.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›