E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy gjyqtarët që votuan pro Mediut u akuzuan nga familjarët e viktimave

Dy nga gjyqtarët që votuan që çështja gjyqësore e "Gërdecit" të pushohej, janë akuzuar nga familjarët e viktimave se kishin konflikt interesi për të gjykuar këtë çështje. Madje, për njërin prej tyre kërkoi largimin nga gjykimi edhe prokuroria. Besnik Imeraj dhe Evgjeni Sinoimeri, sipas avokatëve të trashëgimtarëve të viktimave të Gërdecit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, kishin konflikt interesi për gjykimin e kësaj çështjeje, por një tjetër Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur që këta gjyqtarë të vazhdonin në këtë proces. Prokuroria e "akuzoi" gjyqtarin Imeraj për konflikt interesi, pasi nga aktet që ndodhen në fashikullin e gjykimit rezultonte se vajza e këtij gjyqtari, Marsela Imeraj, ka qenë e autorizuar si avokate nga administratori i shoqërisë "Albademil" që më datën 01.08.2007 për të kryer veprime në emër dhe për llogari të kësaj shoqërie pranë QKR-së. E gjithë kjo procedurë, në një kohë që në këtë proces gjyqësor, si administratori Mihal Delijorgji, por edhe vetë personi juridik "Abademil", ishin me cilësinë e të pandehurve dhe të të paditurve civilë. Trashëgimtarët e familjarëve të Gërdecit u ankuan se gjyqtari Besnik Imeraj nuk duhet ta gjykonte këtë çështje, sepse i bie që të gjykojë mbi veprimet e kryera nga vajza e tij. Sipas tyre, gjyqtari duhet të kishte hequr dorë nga gjykimi i kësaj çështje. Në dosjen e prokurorisë është një autorizim i datës 01.08.2007 i lëshuar nga administratori i shoqërisë "Albademil", praktika e regjistrimit në QKR të kalimit të kuotave nga ortaku Patrik Henri te Mihal Delijorgji, të datës 04.12.2007 dhe një kartelë e të dhënave familjare që provon se avokatja Marsela Imeraj është vajza e gjyqtarit Besnik Imeraj. Pas kësaj kërkese dhe mospranimit të saj, Kolegji Penal ku bënte pjesë edhe gjyqtari Imeraj vendosën që të ndanin procesin, Mediun në Gjykatën e Lartë dhe 29 të pandehurit e tjerë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Një tjetër anëtar i Kolegjit Penal i akuzuar ishte edhe gjyqtarja Evgjeni Sinoimeri, e cila kishte marrë pjesë në gjykim në këtë gjykatë ndaj dy kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi. Përkatësisht gjyqtarja Sinoimeri ka gjykuar si gjyqtare në Kolegjin Penal kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për caktimin e masës së sigurimit ndaj personit nën hetim, Mihal Delijorgji. Për më tepër, po kjo gjyqtare ka marrë pjesë në shqyrtimin në dhomën e këshillimit, të rekursit të paraqitur nga personi nën hetim kundër Prokurorisë së Përgjithshme, për një kërkesë të kësaj të fundit gjatë hetimeve paraprake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›