E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, pa dosje për krimet e tjera të Dajtit

Policia nuk ka dërguar asnjë provë për Dritan Dajtin që e fajëson atë për krim të organizuar. Pavarësisht se policia ka pretenduar mbi këtë person se e kishte nën vëzhgim edhe për krim të organizuar, në organin hetimor nuk ka shkuar asnjë fakt i atillë. Madje, kjo i ka detyruar prokurorët të kërkojnë për hetimin e plotë të ngjarjes, ku mbetën të vrarë katër punonjës policie, gjithçka mbi çështjen e Dritan Dajtit. Sipas të dhënave hetimore nga prokuroria, ende presin të marrin nga drejtuesit e hetimit të policisë prova apo dosje ndaj këtij personi. Madje, pas arrestimit të Dajtit, drejtues të policisë deklaruan se kishin dosje edhe për trafik droge, ku pretendohej se ai ka kryer këtë veprimtari kriminale në Itali. Por, ka kaluar më shumë se një muaj që nga ngjarja e rëndë dhe ende prova të tilla nuk kanë shkuar në prokurori. Me faktin se Dajti merrej me trafik droge, duket se policia ka dashur të justifikojë arsyen pse morën pjesë në operacion efektivët e sektorit të operacioneve speciale, të cilët janë strukturë brenda Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe detyrat e tyre funksionale janë të përqendruara vetëm në këtë fushë. Ditën e ngjarjes, katër punonjës policie mbetën të vrarë dhe ende nuk është sqaruar fakti pse nuk u prit ndërhyrja e repartit special RENEA për të kryer arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Për këtë ngjarje të rëndë po heton Prokuroria Për Krimet e Rënda, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Gjatë përplasjes me armë, Dritan Dajti mbeti i plagosur dhe vetëm pak ditë më parë, ai hoqi një nga plumbat që kishte në trup. Madje, operacioni i tij u krye nën masa të rrepta sigurie. Në lidhje me dosjen hetimore, dihet se Dajti ende nuk është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e Durrësit. Pengesë mendohet se është pikërisht dosja për krim të organizuar, që policia nuk ka dërguar në prokurori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›