E Diel, 1 Nëntor 2026

Zahaj: Pse dështoi skena për Folklorikun

 

Alma Mile

Skenografia e mre-kullueshme natyrore në Kalanë e Gjiro-kastrës, kishte nevojë vetëm për një dorë mjeshtri. Lajmi që skenografia e një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore, e cila ndodh vetëm një herë në katër vjet, Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, do të realizohej nga skenografi Bashkim Zahaj, gëzoi këdo që e ka për zemër këtë aktivitet. Zhvillimi i një konkursi të hapur dhe përzgjedhja e një skenografi të njohur, nuk ishte veçse shenjë serioziteti nga ana e organizatorëve. Por nuk qe e thënë. Në vigjilje të festivalit, i cili hapet në datën 24 shtator në Gjirokastër, skenografi Bashkim Zahaj thotë se ai nuk do të jetë skenograf i këtij aktiviteti. "Në të vërtetë duhet të isha, por diçka ndodhi gjatë rrugës, sa i përket formulimit administrativ, jo atij artistik dhe projekti im mbeti në mes dhe nuk do të realizohet", - thotë skenografi. Sipas tij mësojmë se për realizimin e një skenografie të re për festivalin Folklorik, u zhvillua një konkurs, lajmërimi për të cilin u njoftua edhe në organet e shtypit e u mor përsipër nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. "Një konkurs, ku morën pjesë disa skenografë, mes të cilëve dhe unë dhe më erdhi mirë, që projekti, që unë kisha paraqitur doli fitues. Ky projekt u pëlqye nga organizuesit e konkursit, nga Ministria e Kulturës e më gjerë", - thotë Zahaj, teksa shpjegon elementët që krijonin projektin e tij. Ishte një projekt që në optikën e krijuesit, i shkonte për shtat këtij festivali, ku gërshetoheshin elementë të tillë si toka, zjarri dhe uji dhe do të zgjidhte disa probleme për regjinë televizive. Planin e afërt, të mesëm e të gjatë, ku edhe çalon skenografia e vjetër. Sipas Zahajt, Festivali Folklorik i Gjirokastrës, është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, i cili do të ndiqet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë, përmes filmimeve, të cilat duhet të jenë në lartësinë e duhur. "Që nga momenti i shpalljes së fituesit, deri në ditët e festivalit, kishte një muaj kohë, e mjaftueshme për realizimin e skenografisë, megjithatë kur u zhvilluan takimet mes organizatorëve u vu re se mes zërave të preventivit të paraqitur për fonde, mungonte zëri i skenografisë", - thotë Zahaj. Atëherë në këto kushte, u gjet mundësia e realizimit të skenografisë përmes sponsorëve, ide që u mbështet edhe nga Ministri i Kulturës. Por mësojmë se, ndonëse u gjetën sponsorë të gatshëm për të mbështetur këtë iniciativë, sërish nuk u arrit në realizimin e skenografisë. "Sigurisht që nuk ishte çështje financiare, pasi kostoja skenografisë ishte minimale, ishte më shumë neglizhencë nga ana e nëpunësve të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve", - thotë skenografi. Si përfundim, projekti i tij do të realizohet dhe Festivali Folklorik i Gjirokastrës do të ngjitet në të njëjtën skenë, ashtu si edhe në edicionet e tjera. Sipas Zahajt, skena ekzistuese, momentalisht është tejet e amortizuar dhe ka nevojë për rehabilitim, gjithashtu edhe dyshemeja ka nevojë për ndërhyrje. Për realizuesin e sa e sa skenografive, skena e folklorikut është vetëm një më shumë në karrierën e tij të mbushur, por keqardhja qëndron në faktin se si neglizhencat e qëllimshme, ose jo, të nëpunësve arrijnë të shkatërrojnë një projekt të tërë dhe të dëmtojnë një ngjarje të përmasave kombëtare. Pavarësisht se ky projekt nuk do të realizohet, Zahaj thotë se në kokën e tij tashmë lëvrijnë shumë projekte të tjera. "Në mendjen e artistit lëvizin vazhdimisht ide, por që realizimi i tyre, materializimi i tyre varet gjithnjë nga financat dhe predispozita e atyre njerëzve që i kanë në dorë ato", - thotë artisti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›