Manjani: Të shkarkohen anëtarët e Gjykatës së Lartë
Partia Socialiste kërkoi disa ditë më parë shkarkimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Shkak i kësaj kërkese është vendimi i disa ditëve më parë që pushoi çështjen hetimore mbi Fatmir Mediun, ndërsa organi i akuzës e bën atë përgjegjës për ngjarjen e Gërdecit. Por gjykimi i socialistëve shkon disa muaj më parë, kur u mor një tjetër vendim për pushimin e hetimit për ministrin Lulzim Basha. Kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore në selinë rozë, Ylli Manjani, tha se Gjykata e Lartë ka shkelur Kushtetutën në shqyrtimin e disa çështjeve këtë vit ndaj ministrave të kësaj qeverie. Rasti i fundit, sipas Manjanit, është ai ndaj çështjes "Gërdeci", të cilën gjykata e pushoi së gjykuari pa e shqyrtuar. Nisur nga kjo, Manjani tha se Gjykata e Lartë e ka shkelur rëndë Kushtetutën disa herë brenda vitit, sepse dokumenti themelor i shtetit shqiptar, Kushtetuta, e urdhëron t‘i gjykojë çështjet dhe jo t‘i pushojë pa i shqyrtuar. "Në këto kushte i takon Parlamentit që të nisë procedurat e shkarkimit të atyre anëtarëve të Gjykatës së Lartë që e kanë shkelur rëndë Kushtetutën", tha Manjani.