Dy hapa para, një hap prapa

Bledar KUKA
Formula e sponsorizimit të Tiranës me anë të katër donatorëve vendosur më 7 korrik 2004, në asamblenë e radhës, ishte një risi në futbollin shqiptar, të paktën në nivelin e tij të lartë. Pavarësisht nga përpjekje në klube të tjerë, më të vegjël, katërshja Ngjela-Nuri-Halili-Papuli (renditja mund të ishte e ndryshme) e ngjizur nga kryebashkiaku i Tiranës, Rama, qe dhe mbetet një zhvillim.
Vendimi i para dy ditëve i donatorëve për të caktuar njërin prej tyre president, thënë ndryshe një të parë të përkohshëm, mund të quhet një hap prapa, por sërish duhet përshëndetur. Për momentin, katërshja nuk u prish, megjithë deklarimet disaherëshe (sipas mediave) të njërit prej donatorëve mbi një largim të mundshëm.
Nuk po përdor shprehjen e dikurshme të Leninit "një hap para, dy hapa prapa" (jo nga frika se më akuzojnë për komunist), por sepse mua më duket më shumë si "dy hapa para, një hap prapa". Krijimi i katërshes ishin dy (apo më shumë) hapat para, caktimi i njërit prej tyre në mënyrë qarkulluese për të mbajtur "këmborën" është një hap prapa, vecse i domosdoshëm.
Në cfarëdo fushe të hidhemi, në biznes, sport, atë ushtarake etj., gjithnjë ka korrigjime në ecje e sipër dhe kjo që vendosën katër parelinjtë e Tiranës ishte një e tillë. Dukshëm, kjo vërtetoi atë që mediat e kanë thënë e stërthënë derisa janë lodhur, pra që bashkësia (uniteti) mes katërshes nuk ishte ai që duhej.
U shkrua e u fol për gabime në mënyrën e caktimit të trajnerëve, marrjes së lojtarëve, mënyrën e sjelljes me lojtarët, gabime që sollën hatërmbetje dhe ftohje mes donatorëve dhe si rrjedhojë probleme në drejtimin e punëve të klubit dhe mbarëvajtjen e tij.
Pavarësisht rritjes së rrezikut të gabimit nga një mendje e vetme, anashkalimi i anarkisë së mosvendim-marrjes ia vlen për një hap të tillë (prapa). Të paktën anija do të ketë një kapiten dhe jo katër që mund të rremojnë në drejtime të ndryshme.
Sfida e radhës është tepër e rëndësishme dhe do të kërkojë ndryshim në mendjen e donatorëve. Krijimi i një të pari nuk largon rreziqet, pasi ky i parë është vecse njëri prej donatorëve që kanë gabuar deri tani.
Presidenti i radhës duhet të fitojë një vizion drejtimi që të ndihmojë klubin (së bashku me tre donatorët e tjerë). Ai duhet të vlerësojë dhe respektojë punën në grup, të gjejë një drejtor teknik me karakter të pastër, të gjejë një menaxher për të piketuar lojtarët që duhen marrë e jo të bredhë ai vetë nëpër Europë me cantën e parave në kurriz. Po ashtu, këshillimet kolektive mes donatorëve duhet të ndikojnë me patjetër në vendim-marrje, për të mos iu dorëzuar rrezikut të diktatit të njëshit.
Ndërkaq, asambleja e klubit duhet mbledhur sa më shpejt dhe të krijoi një mënyrë të re organizimi e drejtimi. Të kërkojë me forcë nga Bashkia ato kompetenca që i takojnë domodoshmërisht, të sendërtojë një kryesi (apo bord) që të caktojë forumet dhe t'i kontrollojë, duke nisur që nga sekretari i klubit e më tej. Vetëm kështu, do të ketë logjikë pune dhe siguri për pastërti më të madhe në përdorimin e financave të dhëna nga bashkia.