Lala: “Han si me Holandën, do futboll sulmues”

Trajneri holandez Ari Han, tekniku i katërt huaj i Shqipërisë në pesë vitet e fundit në bankinë, pas fitores në testin përgatitor me modestët e zviceranëve të Schafhauzenit (3-1), do të përballet të martën në provën e parë reale.
Polonia, një prej 16 finalistëve të Kampionatit Europian 2008, është për herë të 11-të kundërshtari i Shqipërisë, qysh kur dy skuadrat janë takuar për herë të parë në vitin 6 nëntor të vitit 1949.
Takimi miqësor në Reutlingen të Gjermanisë (20:30), ku përballë njëri-tjetrit do të jenë dy teknikë holandezë: Han vs. Benaker do të vëzhgohet nga një mysafir VIP, trajneri i kombëtares gjermane, Joakim Lëv. Interesimi është i real, pasi Polonia është kundërshtari i parë i Balakut me shokë në finalet e Euro 2008.
Shqipëria prej datës 20 maj është duke u përgatitur në Gjermani dhe ish-trajneri i Kinës, tashmë ka krijuar një përfytërim të mjaftueshëm për titullarët me të cilët do të përballojë eliminatoret e Kampionatit Botëror "Afrika e Jugut 2010".
Kapiteni i kombëtares shqiptare Altin Lala është dhe një nga lojtarët, që jo vetëm ka punuar me tre paraardhësit e huaj të Hanit: Dosena, Brigel e Baric, por edhe me tre trajnerët e fundit shqiptarë të përfaqësueses: Demollari, Zhega e Hafizi.
Mesfushori shkatërrues me përvojë të gjatë në Bundesligë dhe një lider te Hannover 96 thotë për trajnerin Han: "Holandezët luajnë një futboll më ofensiv dhe për këtë do të përpiqemi edhe ne si skuadër, për të qenë më ofensivë sesa me Baricin".
Por, a është përshtatur ekipi me këtë frymë të re? Lala shton: "Kemi bërë gjithë ato stërvitje, thuajse dy herë në ditë. Ka parë dhe ka provuar disa lojtarë, për të parë se dhe cili pozicion është më i përshtatshmi për ta. Shpresoj se në të ardhmen skuadra do të jetë akoma edhe më e mirë". Baric njihej si një mjeshtër i taktikës.
Por, sa të aftë do të jenë lojtarët për t'u përshtatur me skemat "fluturuese" të ish-nënkampionit të botës me Holandën e vitit 1974 dhe atë 1978. "E rëndësishme është që trajneri t'ua shpjegojë lojtarëve në fushë vendosjen. Secili lojtar ka detyrë të japë maksimumin".
Kroati 75-vjecar, Oto Baric përkundër moshës së tij, ishte një teknik i "dashuruar" me lojtarët e rinj. Togfjalëshi "revolucion kuqezi" është personifikuar shpesh me strategjinë e tij. "Është e natyrshme që do të vazhdojë, - thotë Lala, -pasi është edhe detyra e tij (Hanit) që të shohë lojtarë të rinj, talente që luajnë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë".
Shqipëria ndodhet në një grup shumë të vështirë në eliminatoret e Kampionatit Botëror së bashku me Suedinë, Portugalinë, Danimarkë, Hungarinë e Maltën. "Pa dyshim që kemi objektiva, por atë do ta tregojmë në fushë kur edhe të vinë ndeshjet kualifikuese. Shpresoj që atëherë të jemi në formë", - thotë Lala.
Në ndeshjen e fundit miqësore me Poloninë, tri vjet më parë, kur Shqipëria drejtohej nga gjermani Brigel humbëm 1-0. "Është një ndeshje e vështirë. Do të shohim më shumë sesi do të funksionojmë si ekip, pavarësisht se është kohë e shkurtër, e së fundi na kanë munguar disa lojëra të tjera për trajnerin, për ta vendosur skuadrën akoma më mirë".