Gërçaliu, shqiptari i Euro 2008: “Austria, si Greqia në Portugali”

Tiranasi Ronald Gërcaliu është një ndër dy lojtarët shqiptarë, së bashku edhe me kosovarin Valon Behrami, të cilët do të përfaqësojnë ngjyrat kuq e zi në Euro 2008, ku i pari do të përfaqësojë Austrinë, dhe i dyti, Zvicrën, njëherësh edhe dy vendet organizatore të Kampionatit të 13-të Europian.
NË TIRANË, JETA E VËSHTIRË
Mbrojtësi shqiptar, edhe pse 22-vjec, një nga yjet e skuadrës austriake ka bërë një rrëfim të gjatë për një nga faqet më të mëdha austriake në internet. "Unë nuk kam kaluar një kohë të bukur në Tiranë, atje jeta ishte shumë e vështirë", - thotë Gërcaliu, i cili mbërriti në Austri në moshën 11-vjec. Mbrojtësi e konsideroi të luajtur futboll si mjetin ideal, për t'u integruar në ambientin e panjohur austriak.
FUTBOLLI, PASTAJ SHKOLLA
Emrat e lojtarëve të mëdhenj ndikuan jo pak te "kleine Roni" (Roni i vogël). Pas shkollës, menjëherë të topi, me të cilin kalonte orë të tëra, për të bërë xhonglimet, një lojë fëmijësh, nga më të dashurat e shqiptarëve. I jati i tij ishte një portier i njohur. "Gjithmonë më ka dhënë gjithcka për futbollin. Së pari vjen futbolli për mua, pastaj shkolla", - tregon mbrojtësi biond, që shton se prindërit e tij e shtynë në botën e futbollit, ndërsa topin e parë në një ekip e kishte goditur në moshën gjashtë vjec te Partizani i Tiranës në kryeqytetin shqiptar.
"TRANSFERIMI" NË AUSTRI
Hapi i madh e Ronald Gërcaliut, ishte "transferimi" në Austri, pesë vjet më vonë, kur ishte vetëm 11-vjec. Tezja e tij jetonte në Shtajermark dhe adoptoi djaloshin, duke e birësuar brenda një kohe të shkurtër. Fillimi nuk ishte i lehtë për mbrojtësin e majtë. Frenkuentimi i një kursi të gjuhës gjermane dhe përvetësimi i dialektit austriak e ndihmuan shumë në integrimin e shpejtë. "Para së gjithash në shkollë unë kisha probleme të kuptimit të mësimeve. Më në fund unë ia arrita dhe për këtë jam shumë krenar".
NGA SULMUES NË MBROJTËS
Si cdo i ri me mëndjen te goli, edhe Gërcaliu e nisi jetën futbollistike me pasionin për t'u bërë një sulmues i madh. Në "atdheun" e tij të ri (neun Heimat), Austrinë, pas fillimit të stërvitjes me SK Shturm ai dha prova të qarta për talentin e tij. Pas provës së parë të gjithë ishin të qartë, ky djalosh ishte i talentuar dhe nuk duhej humbur. Në ekipet zinxhir të Shturmit ai nuk e nisi karrierën e tij si mbrojtës. "Unë luajta fillimisht si një sulmues, më pas si një mbrojtës, dhe më së fundi si një mbrojtës", - tregon 22-vjecari hapat e karrierës së tij.
TË BEHESHA PROFESIONIST
Ronald Gërcaliu jetonte me ëndrrën e madhe. Në mendjen e tij ishte fiksuar një ide: "Unë pata nj qëllim të qartë. Të bëhesha një futbollist profesionist. Unë e kam besuar këtë gjithmonë, dhe kam punuar shumë fort për t'ia arritur". Talenti i tij bie në sy në Austri dhe djaloshi nga Tirana, por dhe me pasaportë austriake thirret në kombëtaren e moshave. "Kur unë luajta me përfaqësuesen austriake U-17, pata rezultate shumë të mira. Kjo më një shans që të stërvitesha pranë ekipit profesionit të Shturm Gracit. Qysh në stërvitjen e parë unë krijova bindjen se mund t'ia arrija", - thotë shqiptari i "konvertuar" në austriak.
NDESHJA E PARË ME AUSTRINË
Në gushtin e vitit 2005 mbërriti edhe rasti i madh. Trajneri Hans Krankl (një kandidaturë edhe për stolin shqiptar pas largimit të Oto Baric në vitin 2007) tregoi besim ndaj lojtarit të ri duke e thirrur për ndeshjen miqësore kundër Skocisë, të luajtur pikërisht në kryeqytetin e Landit të Shtajermarkut. Një debutim me plot emocione me fanellën e Austrisë, por dhe të shoqëruar me nervozizëm. Arrin të bllokojë kundërshtarin dhe krijon një përshtypje shumë të mirë. "Përpara ndeshjes trajneri ma hoqi komplet frikën, duke më treguar shumë besim. Që të luaja për 90 minuta në një ndeshje, që përfundoi 2-0, kjo ishte shumë e rëndësishme për mua", - rrëfen herën e parë Gërcaliu.
TRASFERIMI TE AUSTRIA E VIENËS
Pas gjashtë muajsh erdhi edhe transferimi i parë për Ronaldin: nga Shturmi te Salzburgu, shuma e kënaqshme. "Unë u gëzova me të vërtetë shumë, pasi me transferimin hodha një hap shumë të madh për zhvillimin tim. (Trajneri) Kurt Jara më tha, se do ta ndërtonte ekipin rreth meje". Por fillimi te Salzburg nuk ishte nga idealet. "Gjithsesi mësova shumë nga disiplina dhe profesionalzimi i Kurt Jarës", - thotë mbrojtësi i majtë, që pas pak muajsh u transferua sërish, kësaj radhe te Austria e Vjenës.
"Në fakt ishte planifikuar një transferim drejt (Energi) Kotbusit, por ishte kundër rregullave të FIFA-s. U zhgënjeva shumë pasi të luaja jashtë kishte qenë gjithmonë një qëllim i qartë i imi", - kujton lojtari, i cili mund të kalonte më pas në Greqi te Apollon Kallamarja. Gjithsesi, sipas tij, transferimi te Austria rezultoi shumë i dobishëm. "Austria ishte opsioni më i mirë që mund të kisha. Unë jam shumë zhvilluar shumë në Vjenë".
REFUZIMI I KOMBËTARES SHQIPTARE
Më 7 mars 2004, ëndrra e tij u përmbush. Në fitoren 4-0 në shtëpi të Shturmit kundër Matersburgut, Gërcaliu u fut në lojë, duke treguar menjëherë talentin e tij. Në sezonin 2004-2005, mbrojtësi i majtë, një tifoz i cmendur i Maldinit u shndërrua më pas në një lojtar titullar. Ndërsa klubi i tij e konsideronte një pjesë të cmuar të ekipit, Federata Austriake e Futbollit, as që e vinte ujin në zjarr për mbrojtësin. "Unë nuk pata asnjë shans për të qenë pjesë e përfaqësueses U-21, edhe pse ishte një lojtar titullar në Bundesligë", - ankohet Gërcaliu. Pikërisht, në këtë moment vjen për Gërcaliun edhe ftesa nga Shqipëria, për të debutuar në Kombëtaren A. "Unë reflektova shumë shpejt. Vendosa të luaja për Austrinë, ishte opsioni im i parë. Unë nuk kisha asnjë dyshim për këtë, që Austria ishte zgjedhja e parë".
"PREMIER LEAGUE, ËNDËRRA E MADHE"
Fitimi i Kupës së Austrisë është një trofe i vecantë për Gërcalliun. Në mendjen e tij Kotbusi ishte fshirë përfundimisht. Madje edhe opsionet e tjera për të luajtur jashtë Austrisë nuk kishin më peshën e mëparshme. "Njukasëll ishte një temë, përpara se të luaja për Salzburgun. Atëherë unë gjykova se isha shumë i ri. Kur u riktheva sërish te Shturmi, pata mundësi te transferohesha te Lids", - thotë mbrojtësi flokëverdhë. Gjithsesi një gjë ai nuk e fsheh: "Premier League është ëndrra ime e madhe". Gërcaliu ka pasur fatin të punojë me trajnerë të mëdhenj. "Të stërvitesha nën urdhrat e Xhovani Trapatonit është një përjetim i mrekullueshëm. Ai gjithmonë ka na ka mësuar gjëra të vecanta".
"TË PËRSËRISIM GREQINË"
Në mendjen e të gjithë austriakëve është e gjallë ajo që bëri Greqia katër vjet më parë në Europianin e Portugalisë. Kampione e Europës, kur askush nuk e llogariste, as favorite. "Natyrisht që mendojmë për këtë, sesi të marrim titullin e Kampionatin Europian. Luajmë në vendin tonë, kemi tifozët pas shpine dhe jemi shumë të motivuar. Greqia fitoi në Portugali, përse ne nuk duhet ta arrijmë këtë?".