E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy italianë nën akuzë, grabisnin argjendari në Fier, Lushnjë dhe Ballsh

Edmond Hoxhaj

Dosja

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet ndaj dy të rinjve italianë, u hidhnin sprajt pronarëve

Edmond Hoxhaj

Sprajt në sy për të çorientuar pronarët e argjendarive dhe dhunë fizike. Këto kanë qenë metodat e dy të rinjve italianë nga Leçe, me të cilat grabitën tre argjendari në Fier, Lushnjë e Ballsh, gjatë një harku kohor prej një muaji e gjysmë. Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet ndaj dy të rinjve italianë, Franco Galluci dhe Giuseppe Margiotta, të akuzuar si autorë të grabitjeve të tre argjendarive, duke zbardhur gjithë detajet e siguruara, prova të pakundërshtueshme ndaj tyre. Në kërkesën për gjykim që prokuroria e ka dorëzuar prej disa ditësh në Gjykatën e Fierit, një kopje të së cilës e ka siguruar edhe gazeta Shqip, sqarohet gjithë itinerari i grabitjeve alla italiane, provat ndaj dy të pandehurve, si dhe dëshmitë e tyre. Janë dashur pak muaj që hetimi i drejtuar nga prokurori Genci Mane, të vendosë nën akuzë dy italianët, që kishin menduar të gjenin parajsën në Shqipëri. Me paratë e fituara duke vjedhur bizhuteri të florinjta ata e kalonin jetën në hotele me katër yje në qytetin e Vlorës.

Grabitjet

Në kërkesën për gjykim thuhet se të pandehurit Giuseppe Margiotta dhe Franco Galluci, më datë 17 e 26 janar 2012, si dhe më 7 shkurt 2012, kanë vjedhur me dhunë përkatësisht lokalet e Vladimir Zotajt, në lagjen Kongresi i Përmetit në Fier dhe Flora Bajazitit në lagjen Skënder Libohova në Lushnjë dhe Fiqirete Asllanajt në lagjen 28 Nëntori të qytetit të Ballshit. Në lokalet e të dëmtuarve tregtohen, përveç sendeve të tjera, edhe sende të florinjta.

Fier

Vjedhja në lokalin e Vadimir Zotajt ka ndodhur rreth orës 08:00 të 17 janarit të këtij viti, kur ky i fundit ka parë se në dyqan kanë hyrë dy persona, të cilët kishin vendosur në kokë kapuçat e xhupave. Njëri prej tyre ka tentuar të hyjë brenda banakut dhe pronari i argjendarisë ka tentuar ti ndalojë. Por grabitësi i ka hequr syzet dhe i ka hedhur sprajt në sy. Zotajt i është turbulluar shikimi, por ka mundur të ndalojë njërin prej personave pa dalë nga dyqani dhe ka kërkuar ndihmë. Personi tjetër ka marrë sende floriri dhe ka shkuar të marrë një mjet tip furgon i parkuar përballë dyqanit. Ky i fundit ka ndihmuar bashkëpunëtorin për tu shkëputur nga pronari i argjendarisë dhe janë larguar me shpejtësi. Sipas pronarit të argjendarisë, dy hajdutët i kanë vjedhur rreth 200 gramë bizhuterish të florinjta.

Lushnjë

Vjedhja në lokalin e Flora Bajazatit në qytetin e Lushnjës ka ndodhur më datë 26 janar 2012, kur rreth orës 07:30, dy persona kanë shkuar në dyqanin ku ndodhej bashkëshorti i saj, Bardhyli. Njëri prej personave që ka shkuar në dyqan, i ka hedhur sprajt në sy, ndërsa tjetri i ka marrë sende floriri dhe janë larguar me një automjet tip furgon me ngjyrë gri. Sipas pronares së lokalit, në dyqan i janë marrë rreth 2 kilogramë flori.

Ballsh

Vjedhja në dyqanin e Fiqirete Asllanajt në qytetin e Ballshit ka ndodhur më datë 07.02.2012, kur rreth orës 08:10, në lokalin e saj kanë hyrë dy persona të cilët kanë pyetur për varëse dhe çmimet e tyre. Më pas ata kanë blerë një kukull e një lule. Pasi kanë kryer këto blerje, dy të rinjtë e kanë kapur forcërisht Fiqireten, duke i bllokuar frymëmarrjen dhe e kanë ulur me forcë në shkallët e dyqanit. Ndërkohë, njëri prej tyre ka hyrë nga pjesa e banakut dhe ka marrë sende floriri. Sipas deklarimeve të pronares së lokalit të dhëna para hetuesve, dy autorët kanë komunikuar me njëri-tjetrin në italisht. Asllanaj ka pretenduar se i është vjedhur një sasi prej 600 gramë flori.

Deklarimet dhe provat

Në kërkesën për gjykim thuhet se nga shpjegimet e të dëmtuarve Vladimir Zotaj, Bardhyl Bajaziti dhe Fiqerete Asllanajt, ka rezultuar se karakteristikat trupore të përshkruara prej tyre për personat që iu kanë vjedhur dyqanet, të jenë të njëjta me karakteristikat trupore dhe veshjet e të pandehurve Giuseppe Margiotta dhe Franco Galluci. Rezulton se të pandehurve tu jenë sekuestruar sende të blera në dyqanin e shtetases Fiqirete Asllanaj. Sipas prokurorisë, gjatë paraqitjeve për njohje të datës 8 shkurt 2012, pronarët e sipërcituar të lokaleve të vjedhura kanë njohur si autorë të këtyre ngjarjeve të ndodhura në dyqanet e tyre të pandehurit Giuseppe Margiotta dhe Franco Galluci. Ndërkaq, nga akti i ekspertimit daktiloskopik nr.1636 datë 22 shkurt 2012 të Policisë Shkencore në Tiranë, rezulton se një gjurmë papilare e sekuestruar në dyqanin e Fiqirete Asllanajt është formuar nga gishti tregues i dorës së djathtë të të pandehurit Giuseppe Margiotta. Ndërsa një gjurmë tjetër e fiksuar po në këtë vendngjarje ka rezultuar të jetë formuar nga gishti i madh i dorës së majtë i të pandehurit Franco Galluci.

Hetimet

Dëshmitë, dy italianët pranojnë grabitjet

Në kërkesën për gjykim citohet se gjatë marrjes në pyetje, dy të pandehurit Giuseppe Margiotta dhe Franco Galluci, kanë pranuar se janë autorë të vjedhjeve në dyqanet e Vladimir Zotajt, Flora Bajazitit dhe Fiqirete Asllanajt. Gjithashtu ata kanë pranuar faktin se në dy raste kanë përdorur sprajt në sy ndërsa në një rast kanë përdorur forcë fizike. Sipas të pandehurve Giuseppe Margiotta dhe Franco Galluci, në vjedhjet e kryera në Fier e Lushnjë kanë përdorur automjetin tip Benz Viano me targë DE 742 FC në pronësi të të pandehurit Giuseppe Margiotta, ndërsa në vjedhjen e dyqanit të shtetases Fiqirete Asllanaj në Ballsh, kanë përdorur automjetin e marrë me qira në qytetin e Vlorës tip Hyndai me targë TR 2739 P. Dy të pandehurit ka pohuar para hetuesve se sasia e sendeve të floririt të vjedhur prej tyre është 500 gramë në total, më konkretisht; 350 gr në Lushnjë, 120 gr në Fier dhe 55 gr në Ballsh. Nga shitja e sendeve të vjedhura është përfituar shuma prej 8 mijë eurosh. Ndërkaq, nga akti i ekspertimit vlerësues ka rezultuar se, vjedhja e sendeve është në shumën nëntë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e njëzetë e shtatë lekë. Prokuroria pretendon se nga hetimet paraprake është arritur të provohet se dy të pandehurit Giuseppe Margiotta dhe Franco Galluci, janë autorë të vjedhjeve me dhunë, kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin të dyqaneve në pronësi të Vladimir Zotajt, në lagjen Kongresi i Përmetit në Fier, Flora Bajazitit në lagjen Skënder Libohova në Lushnjë dhe Fiqirete Asllanajt në lagjen 28 Nëntori në Ballsh. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit kanë konsumuar tërësisht elementët e veprës penale të vjedhjes me dhunë kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 139 dhe 25 i Kodit Penal.

Dy italianë nën akuzë, grabisnin argjendari në Fier, Lushnjë dhe Ballsh burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›