E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis rrugëtimi shkollor për mijëra nxënës

Këtë vit, në klasë të parë hyjnë rreth 36 mijë nxënës, ndërsa në kopshte e në çerdhe, rreth 75 mijë të tjerë. Gjithashtu, 385 mijë nxënës janë akomoduar në arsimin bazë, 146 mijë në arsimin e mesëm, prej të cilëve 21 mijë janë sistemuar në arsimin profesional.

 Regjistrimet tregojnë se rreth 1500 fëmijë të regjistruar në arsimin parauniversitar janë të emigrantëve të kthyer në Shqipëri.  "Urimi i parë, si gjithnjë, shkon për ju vogëlushë, ju nxënës që uleni për herë të parë në bankat e shkollës, për ju që përcilleni nga dora e nënës dhe shtrëngoni dorën e mësueses apo mësuesit për të nisur  rrugën e gjatë, por të bukur të dijes. Ju keni sot në duar abetaren mbarëkombëtare. Një urim për të gjithë ju nxënësit e klasave e tjera, që në këtë ditë e ndjeni veten më të rritur e më të ditur dhe që jeni fort të motivuar për t’u bërë edhe më të aftë për t’i shërbyer vetes, së ardhmes dhe familjes suaj”, uron ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Sipas ministrit, viti mësimor 2012-2013 e gjen arsimin parauniversitar me një ligj të ri. "Në këtë vit shkollor reforma në përmbajtje e programeve, planeve mësimore dhe gjithë kurrikulës së arsimit 9-vjeçar, do të jetë një diskutim i madh, që do të shtrihet në çdo shkollë e ku do të marrin pjesë gjerësisht mësues, nxënës e prindër", tha Tafaj.  Në thelb të kurrikulës së arsimit bazë qëndrojnë kompetencat themelore të të nxënit, ndër të cilat zotërimi në nivel të lartë i gjuhës shqipe është kryesorja. E gjithë paketa e re kurrikulare do të fillojë të zbatohet në vitin shkollor 2013-2014.

Nishani: Fëmijët që kanë braktisur shkollën t’i rikthehen mësimit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ka dërguar një mesazh urimi të gjithë nxënësve në vend, duke theksuar se nisja e vitit të ri shkollor shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shoqërisë shqiptare drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur.

“Urimi im i parë shkon për ju nxënës, që për herë të parë sot do të uleni në bankat e shkollës për t’u njohur me mësuesen e parë, me bashkëmoshatarët tuaj dhe shokët e klasës. Në mënyrë të veçantë, ju përgëzoj dhe uroj ju nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, sepse jeni në vijim të formimit tuaj arsimor dhe tashmë keni të qartë idenë mbi ecurinë tuaj të mëtejshme në kërkim të dijes e të një profesioni të duhur e të përshtatshëm në të ardhmen. Sot është dita kur ju bëj thirrje të gjithë familjarëve dhe  fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen sa më parë asaj. Gjithashtu ju uroj mirëseardhjen të gjithëve ju, fëmijëve të emigrantëve që jeni rikthyer në Shqipëri, duke besuar se do t’ju krijohen të gjitha mundësitë për përmirësimin e njohurive në gjuhën amtare si dhe në lëndët e tjera ku ju keni nevojë”, thekson Presidenti Nishani. /Start/

                                                                                             2012-09-10 08:48
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›