Ligji për Gjykatën e Lartë. Xhafaj: Jo, para diskutimit të propozimeve tona
Tiranë- Nisi sot shqyrtimi i disa ndryshimeve dhe shtesave në ligjin për Gjykatën e Lartë në Komisionin e Ligjeve ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi.
Diskutimi ka nisur me debate mes deputetit socialist Fatmir Xhafaj dhe atij demokrat Ilir Rusmajli. Ky i fundit akuzoi opozitën se kërkon një reformë jo të plotë më qëllim bllokimin e statusit kandidat.
Xhafaj tha se opozita nuk e përjashton këtë reformë, por kërkon që fillimisht të nisin diskutimet për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PS-ja.
Deputeti socialist, Xhafaj nënvizoi rëndësinë e reformës në Drejtësi, duke mirëpritur pr/ligjin për Gjykatën e Lartë, por kërkoi që ligji të shtyhet pasi sipas tij, nuk adreson zgjidhje te qëndrueshme dhe nuk reflekton një serë problematikash e rekomandimesh.
Pr/ligji është një nga 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe shihet si prioritet kryesor i axhendës parlamentare në sesionin e ri Kuvendor. Ai është i hartuar në bashkëpunim me misionin EURALIUS-in, përfshin tre shtylla kryesore që lidhen me: Emërimin e gjyqtarëve, kriteret e tyre, si dhe afatet konkrete për zëvendësim, kur ju mbaron mandati.
Drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë u shty gjatë sesionit paraardhës pas kërkesës së opozitës, e cila kërkoi më shumë kohë në dispozicion për shqyrtimin e tij. Drafti që kërkon 84 vota parashikohet të miratohet të enjten, në seancën plenare të Kuvendit.
/IDEA/