Masakër në dasmë, një i vdekur e dy të plagosur
Elbasan, Edmond dhe Blerim Eshja therin Pëllumb Belekun, plagosin Mariglen dhe Edmond Dushkun
Silvana Muça
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sërish qytetin e Elbasanit vetëm në pak javë. Një i vdekur dhe dy të plagosur rëndë me thika, është bilanci i një sherri banal, i ndodhur në një dasmë që po zhvillohej në afërsi të qytetit. Ngjarja e pazakontë është shënuar në fshatin Jagodinë, në ambientet ku po bëhej dasma. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë me dije se Pëllumb Belegu, 56 vjeç, nga Çerma e Lushnjës, ka gjetur vdekjen rrugës për në spital, pasi është goditur katër herë me thikë. Sipas mjekëve, plagët e rënda që 56-vjeçari ka marrë në trup sollën e dhe vdekjen e tij, pasi i kanë prekur organet jetësore. Njëkohësisht, në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit kanë shkuar të plagosur me thikë edhe dy vëllezërit Mariglen dhe Edmond Dushku. Sipas mjekëve, gjendja e tyre paraqitet e rëndë. Mariglen Dushku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe sipas mjekëve është në rrezik për jetën prej plagëve të thella që i janë shkaktuar nga thika. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka nisur zbardhjen dhe rrethanat në të cilën nisi sherri. Burime konfidenciale bëjnë me dije se autorët e ngjarjes dyshohet që të jenë Edmond dhe Blerim Eshja, banues në Jagodinë. Zyrtarisht policia nuk e ka konfirmuar ende këtë informacion. Këta të fundit kanë qenë të ftuar në dasmën e familjes Dushku dhe sipas familjarëve, vëllai më i vogël i të plagosurve po martohej. Autorët e dyshuar të ngjarjes janë miq të ngushtë të Edmond Dushkut. Ndërkaq viktima është dhëndër i familjes së dasmorëve, pasi është martuar me motrën e dy të lënduarve. Prej kësaj martese ka edhe tre vajza. Askush nuk është në gjendje të tregojë se si lindi sherri mes të ftuarve dhe dasmorëve pasi gjithçka ndodhi në një hark shumë të shkurtër kohor. Mes palëve nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm, por duket se përplasjet mes tyre janë bërë në gjendje të dehur dhe për motive banale në oborrin e lokalit ku po zhvillohej ceremonia martesore. Gjithsesi gjithçka mbetet për tu zbardhur nga policia. Pranë komisariatit janë thirrur dëshmitarët okularë, të cilët kanë qenë të shumtë në numër. Këta të fundit do të jenë ata që do të japin informacione të sakta rreth ngjarjes tronditëse.
Mësohet se ende nuk është bërë arrestimi i autorëve që provokuan një kasaphanë me thika në ditën e dasmës së familjes Dushku. Policia ka rrethuar të gjithë zonën për të lokalizuar dhe arrestuar vëllezërit Eshja. Duket se ata janë larguar në drejtim të paditur. Uniformat blu kanë shkuar në banesën e agresorëve, por nuk kanë mundur që ti gjejnë, duke përfituar edhe nga errësira. Ende nuk bëhet me dije se cili është shkaku i ngjarjes së pazakontë, por dyshohet se gjithçka ka ndodhur pas një sherri banal.
Masakër në dasmë, një i vdekur e dy të plagosur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip