E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy javë larg projektit të qendrës së Durrësit

12/01/2009  Pesë firmat nisin garën për të ndërtuar imazhin e ri të qytetit bregdetar, specialistët intensifikojnë debatin

Kërkohet ruajtja e traditës dhe respektimi i historisë së lashtë të vendit

Vetëm dy javë e ndan qytetin e Durrësit nga fati i qendrës së saj. Pesë projektet për rigjallërimin e sheshit "Iliria" që u kualifikuan nga juria ndërkombëtare do të kalojnë në revistë para jurisë së huaj më 29 janar 2009 për të mësuar se cila do të jetë studio me më shumë pikë. Në Durrës gjithnjë e më shumë ka nisur të flitet për shanset e studios angleze, e cila thuhet se ka përparësi ndaj 5 projekteve të tjera, edhe ato të huaja. Ajo që thuhet hapur në Durrës ka të bëjë me simpatinë e fituar tek specialistët shqiptarë e projekti "Sundial" i studios angleze 3W Architecture Limited. Në bazë të këtij projekti mendohet që hapësirës që ka sheshi “Iliria” prej 22 000 metra katrorë, ti jepet rëndësi objekteve të vjetra të qytetit. Konkretisht mendohet që të zgjerohen zbulimet në Forumin Rrethor dhe tek Termat Romake. Parashikimi për ndërtimin e orës solare më të gjatë në botë është edhe një gjetje më vete dhe që do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të tërhequr kureshtjen e turistëve. Kulla prej çeliku e kësaj ore solare do të jetë plot 73 metër e gjatë, por pa kaluar objektin më të lartë të qytetit, i cili është vila e mbretit Zog, e cila gjendet në pikën më të lartë të Durrësit. Projektuesit e orës kanë llogaritur se hija e kësaj ore do të jetë mbi kupolën e xhamisë në orën 12.00 dhe në orën 18.00 mbi kullën e sahatit të vjetër në qendër t qytetit të Durrësit. Sheshi para bashkisë dhe që zgjerohet me hapësirat e prefekturës dhe të teatrit “Aleksandër Moisiu” parashikohen të njësohen në një ngase projekti anglez parashikon zgjerimin e sheshit. Tek “Iliria” nga një pishinë që është sot do të ketë 6 të tilla, por me një arkitekturë dhe standarde shumë më joshëse. Së bashku me këtë pamje të re qendra do të zbukurohet nga shëtitorja për këmbësorë, shëtitorja arkeologjike, lulishte me palma, dekori me larmi ngjyrash etj. Studio angleze, e cila gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e specialistëve shqiptarë dhe kryesisht të projektuesve, arkitektëve, arkeologëve, restauratorëve ka ideuar ndërtimin e sheshit në formë eliptike Kjo formë që lexohet vetëm nga pika dominante apo nga kulla të larta në pika të ndryshme të qytetit kaplon zonën nga Mauzoleumi i Dëshmorëve, sheshin "Pranvera", qendrën e qytetit dhe deri në hyrje të shëtitores "Taulantia". Vetëm ndërtimi i orës diellore më e larta në botë do të kushtojë 1.5 milionë euro, gjithnjë nëse ky projekt do të marrë të drejtën e zbatimit. Tashmë kanë mbetur vetëm dy javë për të mësuar se cili nga projektet do të dalë në krye. Specialistët kanë shpeshtuar diskutimet në grupe lidhur me projektin që do të fitojë. Juria ndërkombëtare është thënë se do të vijë në Durrës në rreth datës 25 janar dhe do të akomodohet në një nga hotelet buzë detit tek “Taulantia”. Bashkia nga ana e saj ka mundësuar një sërë nismash për të kërkuar dhe tërhequr mendimin intelektual, ndërsa për qytetarët ka shfaqur në një mjedis të hapur përmes një monitori të gjashtë projektet.

Ruhet vila e Zogut

Durrësi në Guines për orën më të lartë

Ora Diellore tek sheshi “Iliria” i krijon Durrësit shansin për të kapur faqet e librit të rekordeve Guines, ndërsa qyteti do të ketë monumentin e dytë të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë. Monument modern do të jetë fare pranë Amfiteatrit. Ora diellore përbën një element që përfaqëson të gjitha kulturat dhe qytetërimet që kanë ekzistuar në Durrës që nga koha e themelimit këtu e 2800 vite të kaluara. Ora Diellore moderne pozicionohet në afërsi të tempullit të Geas (Tellusit), i zbuluar në afërsi të sheshit. Përveç inspirimit nga qytetërimin ilir, Ora Diellore lidhet me kulturën helenistike, ndërkohë që ora si nocion është element i trajtuar gjerësisht në qytetërimin romak dhe arab. Elementi vertikal pozicionohet në portën e vjetër të qytetit, aty ku janë hapur edhe themelet e bashkisë godina e së cilës është sot. Ora do të krijojë të gjitha kënaqësitë për të vëzhguar majën e kodrës së Vilës, akropoli i qytetit, maja e Stanit, pazari i Varosheve, kulla e sahatit, porti, pazari i kalasë, amfiteatri dhe shëtitorja “Taulantia” që deri në vitet ‘60 ka mbajtur emërtimin “Vollga”, emërtim që vijon madje edhe sot të ndeshet tek banorët e vjetër të qytetit. Projekti për orën ka formë eliptike me dy elipse. I pari vendos në qendër të vëmendjes ndërtesën e xhamisë. Elipset e tjera i japin formë kodrës që lidh xhaminë me sheshin duke krijuar tarraca që shikojnë mbi shesh. Nga ana tjetër 6 pishinat e vogla do të kenë një pikë të përbashkët nga ku do të mbushen e zbrazen me ujë. Ky lloj rezervuari artificial do të jetë tepër argëtues ngase ujë “vërtitet” në mënyrë ciklike. Për të mos mjaftuar një ide e formësuar në projekt, huazi do të krijojë edhe ngjashmëri me detin që do të fryhet e tkurret sipas “motit”, pra do të ketë batica e zbatica. Vizitorët mund të qëndrojnë në këtë pjesë të sheshit shumë gjatë duke soditur dhe duke u entuziazmuar me pamjet fantastike. Një bukuri e tillë që vjen nga projekti anglez mendohet se do të rrisë në mënyrë të ndjeshme numrin e guidave turistike duke bërë të mundur përfshirjen e këtij qyteti në hartën dhe kalendarët e turistëve vendas dhe të huaj.

Studio e projektimit 3W

Kompania 3W Architecture me zyra në Londër dhe Bristol është tashmë e afirmuar në Britaninë e Madhe si një studio e suksesshme arkitekture. Me një eksperiencë mbi 20-vjeçare në fushën e projektimit. Themeluesit Andrew Wells dhe Stuart Walker kanë bashkëpunuar me disa nga emrat më në zë të arkitekturës botërore si Sir Michael Hopkins etj. Janë fituesit origjinal të një nga konkurseve më të mëdha deri më sot, ai për kullën U2 në Dublin duke fituar përballë 600 konkurruesve. Kanë një përvojë ndërkombëtare në fushën e ndërtimit. Gjithashtu studio e kompanisë 3W ka hartuar projekte për hapësira publike, kanë projektuar ndërtesa shoqërore, komplekse zyrash, qendra tregtare, komplekse rezidenciale e deri tek skema të gjera urbane. Thoma Papa është një arkitekt durrsak, i cili prej disa vitesh është pjesë e stafit të 3W.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›