Dy javë pas Krokodilit, Berisha-Rama mbeten njësoj
Dy javë pasi darkuan së bashku në restorantin “Krokodili” në Strasburg, Sali Berisha dhe Edi Rama, shfaqen njësoj të ndarë. Koha e vënë në dispozicion për reflektim duket se nuk ka shërbyer aspak për të shoshitur çështjet e lëna pezull. Kryetari i opozitës kërkoi dje nga Kryeministri të pranonte kompromisin, ndërsa shefi i mazhorancës ftoi rivalin e tij të heqë dorë nga ultimatumet.
Berisha“Edi Rama duhet të heqë syzet e të shkuarës dhe të lexojë qartë mesazhet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e situatës politike në vend”. Kjo ishte thirrja që bëri dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës të qeverisë, teksa iu rikthye takimit që ai zhvilloi në Strasburg me kreun e opozitës në prani të krerëve të lartë të institucioneve europiane. Në këtë kuadër, Berisha deklaroi se Rama nga kjo situatë mund të përfitojë çfarë i takon, por jo gjithçka. “Unë i garantoj edhe një herë qytetarët shqiptarë se institucionet europiane janë në sintoni të plotë në qëndrimet e tyre. Ndaj zoti Rama, më mirë lexoi me realizëm, se kjo do të bëjë të mundur të përfitosh maksimalisht ato që t’i mendon se të takojnë, por jo gjithçka”, theksoi Berisha. Dy ditë përpara kalimit të afatit 14 ditor, që europianët, u lanë palëve politike në vend për të gjetur zgjidhje për krizën politike, Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë se në Strasburg nuk u fol për ultimatume dhe ato ishin vetëm në kokën e kryetarit të Partisë Socialiste. “Hiqi nga koka ultimatumet. Nuk mund të ekzistojnë ultimatume, edhe në qoftë se ndonjë qëndrim ekzotik dhe kur them ekzotik, them tepër i rrallë, duhet ta hedhësh poshtë, kur ta thotë kush në vesh, sepse Europa është për shtetin ligjor”, konstatoi Berisha. Sipas tij, përfaqësuesit europianë kërkojnë nga Rama dhe qeveria respektimin e shtetit ligjor. Në këtë kuadër, Berisha theksoi se qeveria që ai drejton po zbaton me përpikmëri detyrimet e saj në lidhje me KE dhe në lidhje me detyrimet që ka ndaj opozitës së vendit.
RamaAshtu si përgjatë këtyre ditëve, edhe dje Edi Rama ka apeluar për gjetjen e zgjidhjes, me emërues ofertën e Partisë Socialiste që sipas tij ka bërë tërheqjen e duhur. “Për të mbajtur kutitë të mbyllura, Sali Berishës i duhet të kapet si mace në xham pas vendimesh gjykatash që nuk ekzistojnë dhe argumentesh ligjore që nuk rrinë një sekondë në këmbë. Dhe mbi kutitë e mbyllura të një krimi elektoral, që në fakt po del dita-ditës në pah, pikërisht, sepse Sali Berisha është gati të sakrifikojë edhe liberalizimin e vizave vetëm që kutitë të mos hapen”, tha Rama dje. Thirrjet e tij i bëjnë jehonë një pozicioni të palëkundur të shumicës e cila vijon me sa duket t’i përmbahet alibisë së vendimit të gjykatave dhe nevojës për zbatimin e nenit 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor për asgjësimin e fletëve të votimit. Akuza për procesin e integrimit, pasqyron të ashtuquajturin ultimatum të Parlamentit Europian, i cili ka bërë të njohur se mosarritja në një zgjidhje do të penalizojë Shqipërinë.
Fatjona Mejdini, Skerdilajd Zaimi
#