E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule, Moratinos: Ballkani në BE. Kriza, zgjidhje para shqyrtimit të vizave

Sarajevë Deklarata: Integrimi mbi bazën e kritereve të përcaktuara

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të shtojnë përpjekjet e tyre në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Samiti i Sarajevës, i iniciuar nga Presidenca spanjolle e BE-së, ka mbyllur dje punimet e veta me një rikonfirmim të perspektivës europiane të rajonit, para të cilit gjithsesi mbeten ende shumë detyra për t’u plotësuar. Edhe pse informal dhe me dyer të mbyllura, takimi i BE-Ballkani Perëndimor ka përcjellë me një forcë dhe aktualitet të ri qëndrimin e kontinentit për zgjerimin e vet në rajonin tonë. Një konferencë e përbashkët në mbyllje, e komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, dhe ministrit të Jashtëm të Spanjës, Miguel Angel Moratinos, ka përcjellë mesazhe inkurajuese rreth zhvillimeve pozitive në drejtim të sigurisë dhe klimës bashkëpunuese. Aty u përshëndet propozimi i komisionit për të shtrirë regjimin pa viza te qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë kontekst, me rëndësi ishte pjesëmarrja si shtet i Kosovës, që hyn kështu në arenën rajonale si e barabartë.

Fule

“Nuk ka ndryshim të rregullave të lojës për sa i përket lëvizjes së lirë. Shqipëria do të duhet të plotësojë kushtet e mbetura. Nuk ka kritere politike për liberalizimin e vizave, por uroj që liderët politikë në Shqipëri të arrijnë një marrëveshje para se Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës të marrin vendimin për liberalizimin e vizave. Komisioni Europian ka dhënë tashmë rekomandimin e tij pozitiv”, tha në konferencën për shtyp, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule. Zgjidhja e krizës është një kërkesë politike e BE-së, e cila përvijohet si kusht politik për integrimin e vendit, por që me sa shihet nuk do të merret në konsideratë për sa i përket procesit të liberalizimit. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe ministri i Jashtëm i Spanjës, Moratinos, i cili ka bërë të njohur edhe praktikën e BE-së rreth procesit të liberalizimit, që deri në miratimin përfundimtar kalon disa hallka ndërmjetëse. “Kur Komisioni Europian hap dritën jeshile për një procedurë, nuk ka ndodhur kurrë që PE dhe Këshilli Europian të dalin kundër...”, citohet ministri i Jashtëm spanjoll. Në një vështrim ndryshe, mund të thuhet se Bashkimi Europian ka marrë përgjegjësitë e veta për sa i përket Ballkanit Perëndimor, duke thyer edhe paragjykimet e shumta që qarkuan lënien jashtë liberalizimit të Bosnjë–Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Deklarata

Në deklaratën në përfundim të samitit thuhet se “vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha në lidhje me shtetin e së drejtës, siç janë reformat administrative dhe gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Këto çështje, vijon qëndrimi, janë thelbësore për një demokraci dhe ekonomi funksionale, dhe kushtëzojnë në një masë të madhe procesin e hyrjes në BE. Në këtë dokument konstatohet se kompletimi i procesit të kthimit të qëndrueshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur së brendshmi mbetet një prioritet. “Problemet që prekin lirinë e shprehjes dhe mediat duhet të trajtohen si çështje urgjente. Pjesëmarrësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u angazhuan për të intensifikuar përpjekjet e tyre për të adresuar këto çështje”, thotë deklarata. Aty konstatohet se themelimi i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal përfaqëson një hap sinjifikativ drejt përfshirjes dhe drejtimit rajonal. “Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal tashmë ka nevojë të përmirësojë eficensën nëpërmjet implementimit të një strategjie të orientuar drejt rezultatit, e cila do të vendosë linja veprimi prioritare, të qarta dhe do të hedhë bazat për orientimin e iniciativave të ndryshme në rajon. Miratimi i kësaj strategjie nga shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) në Samitin e Stambollit më 23 qershor do të forcojë lidhjen politike ndërmjet dy organizatave. Konsolidimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) është një prej prioriteteve strategjike”, vijon deklarata.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›