E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy kontrolle njëherësh në spitalin "Nënë Tereza"

Në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" do të kryhen dy kontrolle njëherësh. Të gjitha këto inspektime janë kërkuar nga vetë drejtuesja e re e spitalit "Nënë Tereza" dhe ministrja e Shëndetësisë, një muaj më parë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, si dhe Auditi i Ministrisë së Shëndetësisë, të dy sektorët do të kontrollojnë procedurat që arkivohen në administratën e spitalit "Nënë Tereza". Njëkohësisht, përparësi në kontrollet e tyre do të jenë procedurat e prokurimeve, blerjeve të vogla, si dhe zbatimit të standardeve të konkursit për punësimin e personelit të ardhur vitin e fundit në qendrën spitalore. Një muaj më parë, drejtoresha e re e qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza" deklaroi se kontrollet janë të nevojshme për të zbardhur të gjitha parregullsitë e kryera në të kaluarën. Sipas saj, vonesat që sollën mungesat e theksuara të barnave janë si rezultat i keqmenaxhimit dhe moskryerjes së punës sipas parametrave të nevojshëm. Si për të vërtetuar keqmenaxhimin, faktor kryesor të pengesës së punës në spital, qendra spitalore universitare "Nënë Tereza" si dhe Ministria e Shëndetësisë kanë kërkuar Auditin të zbardhë të gjitha shkeljet e kryera në administratën spitalore gjatë mandatit të ish-drejtorit Pepa. Nga Auditi është kërkuar kontroll për procedurat e tenderëve, për marrjen në punë të punonjësve të administratës, si dhe menaxhimin e punës në këtë qendër, duke përfshirë të gjitha hallkat. Të dyja kontrollet janë takuar në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" dhe është rënë dakord që do të jetë Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që do të procedojë i pari dhe më pas Auditi i Ministrisë së Shëndetësisë. KLSH është i autorizuar të kontrollojë institucionet shtetërore, mënyrën se si është menaxhuar buxheti i akorduar nga shteti dhe procedurat sesi është administruar kjo "qese" e madhe. Në fund nxjerr rezultatet dhe përfundimet. Nga ana tjetër, pas kontrollit të KLSH-së, procedurat do të kontrollohen edhe nga Auditi i Ministrisë së Shëndetësisë. Të njëjtat procedura do të kalohen edhe në "ekspertizën" e kontrollit të dytë. Pas përfundimit të kontrolleve, dosja me të gjitha të dhënat do të japë të gjitha rezultatet dhe përfundimet nëse ka pasur shkelje, nëse janë kryer abuzime me fondin e dhënë nga shteti dhe nëse ka probleme të trashëguara nga e kaluara. Sakaq, një rezervë ilaçesh spitalore, fatura e të cilëve kushtonte plot 26 milionë euro, kanë skaduar në magazinat e spitaleve të vendit. Lajmi është bërë publik dje, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria Spitalore, e cila ka kërkuar zbardhje edhe të kësaj çështjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›