KOKSH nderon oficerët e policisë
Komiteti Olimpik Shqiptar (KOKSH) ka nderuar dje disa nga oficerët e njohur të Policisë së Shtetit, për kontributet e dhëna për aktivitete sportive në vendin tonë. Presidenti i KOKSH-i, Hysen Domi, u ka dorëzuar titullin e "Mirënjohjes" disa prej personazheve më të njohur të uniformave blu, pikërisht drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçit; drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Muhamed Rrumbullakut dhe zëvëndësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rasim Boriçit, me motivin "për kontributin që jep policia në mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe për luftën kundër dhunës në sport". Kjo nuk është hera e parë që Komiteti Olimpik nderon personazhe publike që vijnë nga bota jashtë sportit. Pikërisht më 31 maj të 2008-ës, gjatë zhvillimit të Asamblesë së 13-të vjetore, i ka dhënë edhe Presidentit Bamir Topi titullin e "Urdhrit Olimpik".