E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy libra që u përgjigjen pyetjeve për globalizimin

Instituti Shqiptar i Medias ofron dy tituj të rinj librash, të cilët mëtojnë tu japin përgjigje një sërë pyetjesh që ngrihen shpesh kohët e fundit. Një ndër ta është Çfarë mendon Kina, i Mark Leonard. Në këtë libër ai na sjell një tablo magjepsëse për mënyrën se si intelektualët dhe elitat politike kineze e shohin botën, çka pa dyshim do të ndikojë në mbarë botën gjatë shekullit që sapo ka nisur. Leonard është drejtori ekzekutiv i European Council on Foreign Relations, e para organizatë mbarëeuropiane për studime ndërkombëtare, me seli në Berlin, Londër, Paris, Romë, Sofje dhe Varshavë. Libri i tij i parë, Why Europe will run the 21st century, pati mjaft sukses dhe u botua në 18 gjuhë. Shkruan rregullisht për gazeta dhe revista, si The Economist, The Guardian, Financial Times, Liberation, Die Ëelt, Wall Street Journal, etj. Frikë nga numrat e vegjël është një tjetër libër interesant me autor Arjun Appadurai. Si një ndër teoricienët kryesorë të globalizimit, Appadurai i kushton vëmendje dinamikës së tij komplekse, dhunës së motivuar kulturalisht, duke nisur që nga gjenocidet që ndodhën në Europën Lindore, në Ruanda apo dhe Indi, në fillim të viteve 1990-të, deri te lufta bashkëkohore kundër terrorizmit. Duke paraqitur një strukturë konceptuale novatore, për të kuptuar burimet e dhunës globale, ai analizon bombardimet vetëvrasëse; anti-amerikanizmat, teprimin e mllefit të shprehur me prerjen e filmuar të kokave; deri te organizata të tilla terroriste si Al-Kaeda. I fuqishëm, provokues dhe njëkohësisht i botuar në kohën e duhur, Frikë nga numrat e vegjël është një ftesë e matur për të menduar dhe një herë çështë dhuna në një epokë globalizimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›