Durrës, rrëshqitjet e dheut prishin rrugën e Kodër-Vilës

Rrëshqitje dheu në zonën e Kodër-Vilës
Shiu i majit shkatërron shtëpitë e kodrave të Durrësit. Kodra që nis nga zona e Currilave dhe deri në pjesën skajore në Porto Romano, ka paraqitur probleme për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme të dherave, të provokuar dhe nga reshjet e fundit.Si pasojë e situatës së krijuar, rrezikojnë të mbeten të pastrehë anëtarët e plot 152 familjeve. Bëhet fjalë për dy prej zonave më të populluara të qytetit pas viteve 90. Gjendja më e rënduar paraqitet në zonën e Spitallës, ku rrëshqitjet masive të dherave nga lartësia e kodrës kanë bërë që të dalin themelet e shumë banesave dhe të rrezikojnë shembjen. Paqëndrueshmëria e tokës prej më shumë se një viti ka bërë që një masiv i konsiderueshëm dheu të shkasë, duke krijuar shkëputje të një pjese të kodrës ku ndodhen banesat. Gjashtë banesa dhe një lokal janë shembur tërësisht, ndërsa rrezikojnë të përfundojnë në det edhe 60 shtëpi të tjera, të cilat kërcënohen direkt nga rrëshqitjet, pasi erozioni po avancon në mënyrë kërcënuese. Ndërkaq, jo më pak problematike qëndron situata në zonën e Kodër-Vilës, ku 72 banesa rrezikojnë që të fundosen dhe 400 të tjera të izolohen nga pjesa tjetër e qytetit. Rruga që kalon në afërsi të Vilës është prishur, duke mbetur vetëm në një gjerësi 2-metërshe, por dhe kjo në gjendje degradimi të mëtejshëm. Shembja e rrugës në mënyrë të përsëritur ka ngjallur panik te banorët, të cilët përveçse e kanë përjetuar situatën si kërcënim për banesat e tyre, tashmë rrezikojnë edhe shkëputjen totalisht nga qyteti. Dëmet e fundit janë shkaktuar gjatë natës, fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Banorët e këtyre zonave jetojnë me ankthin se një ditë, e cila mund të mos jetë e largët, do të humbasin edhe shtëpitë e tyre që kanë filluar të plasariten dhe shkatërrohen. Ata shprehen të frikësuar se shiu, i cili kohët e fundit ka qenë i pranishëm shpesh, ka krijuar një tjetër vatër shembjeje, duke u krijuar çarje në muraturat e shtëpive. Kryefamiljarët tregojnë se gjatë natës janë të detyruar të bëjnë roje, të paktën për të shpëtuar familjarët në rast rreziku. Bilbil Alia, i cili është vendosur në këtë zonë prej 20 vitesh, tregon se jetojnë me frikën se shtëpia mund ti zërë brenda nga moment në moment. Në pamundësi për të braktisur këto shtëpi, Alia ashtu si dhe shumë banorë të tjerë, janë të detyruar të jetojnë me frikën e vazhdueshme. Safet Bakiu, një tjetër banor, të cilit shtëpia i është kthyer në gërmadhë, shprehet se ka mbetur në mes të katër rrugëve. Siç e shikoni, edhe vetë jemi katandisur si mos më keq. Shikojeni banesën time se si është transformuar, vetëm shtëpi nuk mund të quhet kjo. Kam tre fëmijë dhe kamë frikë se një ditë banesa ime do të shembet dhe do ti zërë brenda. Nuk kam mundësi të largohem dhe të marr një shtëpi me qira, pasi vetëm unë punoj. Të paktën do ti shpëtoja nga vdekja fëmijët. Jam i detyruar që në netët me shi të rri zgjuar, në mënyrë që të shpëtoj fëmijët nga ndonjë e papritur, shprehet Bakiu. Në dijeni për fatin e këtyre banorëve janë edhe institucionet përgjegjëse, si shtabi i emergjencës apo prefektura.
Deti
Përveç 152 familjeve që rrezikojnë të mbeten të pastreha, qytetarët durrsakë kanë humbur edhe plazhin e tyre të preferuar. Bëhet fjalë pikërisht për plazhin e Kallmit. Pothuajse një gjatësi prej 1 mijë metrash vijë bregdetare është mbuluar nga masivi i dherave. Rrëshqitjet e fundit të dherave nga kodra janë derdhur mbi rërë, madje një pjesë e mirë ka përfunduar në det.
Legalizimi u mohoi pronësinë
Meqenëse rreziku është mjaft precipitues, në Agjencinë e Legalizimit mësojmë se për 80 banesat në zonën e Spitallës dhe 72 në zonën e Kodër-Vilës i është vënë kryqi mundësisë se legalizimit, ndonëse banorët kanë përpiluar të gjitha materialet që u duhen për të fituar pronësinë e banesave. Është folur shpesh se së shpejti do të gjendet një zgjidhje, madje kryebashkiaku Dako në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak ka kërkuar një fond të posaçëm për të investuar në këto zona, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ