E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv shtëpisë së kryebashkiakut

Kryebashkiaku i Maliqit, në vendin ku u gjet lënda eksplozive

Zbulohet para se të shpërthente një sasi eksplozivi në banesën e kryetarit të Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu.Dy punëtorë, të cilët kryebashkiaku i kishte punësuar për prerjen e drurëve në oborrin e banesës së tij, si dhe nëna e tij, zbuluan në mes të stivës lëndën plasëse. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se një pako, me peshë afro një kilogram lëndë eksplozive, është gjetur në afërsi të depos së druve në oborrin e shtëpisë dykatëshe ku banon familja Topçiu. Pakoja e mbështjellë me natriban dhe me një fitil ndezës jashtë saj nuk kishte arritur të shpërthente. Nga verifikimet paraprake është konstatuar një pako me peshë mbi 1 kilogram lëndë plasëse artizanale, e paketuar dhe e mbështjellë me natriban e me fitil ndezës, e cila është hedhur nga persona ende të paidentifikuar në oborrin e shtëpisë private të kreut të Bashkisë së Maliqit, bëri të ditur policia. Dyshohet se pakoja me lëndë eksplozive artizanale është hedhur në oborrin e kryebashkiakut gjatë natës. Fitili i lëndës eksplozive është tentuar të ndizet nga autorët, por nuk ka mundur të shpërthejë pasi është lagur nga reshjet. Pakoja me eksploziv ishte e mbështjellë me letër e me qese dhe kishte rrotull saj fitil. Në pjesën e sipërme, fitili ka qenë i ndezur, por pakoja kishte rënë në një pjesë me ujë e baltë dhe ndoshta për shkak të reshjeve nuk ka shpërthyer. Nuk dihet se çfarë lënde është përdorur dhe kam bërë denoncimin në polici. Unë mendoj se kjo është e qëllimshme për motive politike, pasi nuk kam pasur kërcënime apo konflikte, u shpreh kreu i Bashkisë, Gëzim Topçiu. Ai më pas ka dhënë dëshminë e tij në polici, lidhur me arsyet e dyshuara për vendosjen e kësaj lënde eksplozivi artizanale dhe ka nxjerrë si pistë kryesore shkaqet politike, duke përjashtuar një tentativë atentati për arsye personale apo konflikte që kanë të bëjnë me detyrën e tij si kryebashkiak i Maliqit. Në zgjedhjet e fundit lokale, Gëzim Topçiu ka fituar për herë të katërt postin e kryetarit të Bashkisë së Maliqit. Policia ka shoqëruar për ngjarjen disa persona të dyshuar, por ende nuk është arritur të identifikohen personat që kanë vendosur lëndën eksplozive artizanale në shtëpinë e tij. Edhe vetë kryebashkiaku i Maliqit pohoi se është paraqitur para grupit hetimor dhe ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, por pa dhënë emra konkretë personash si të dyshuar. Policia e Korçës bëri të ditur se ka marrë njoftim dje në orët e drekës për ngjarjen. Në orët e drekës të ditës së mërkurë, është marrë njoftimi se në banesën e shtetasit Gëzim Topçiu, 44 vjeç, me detyrë kryetar i Bashkisë së Maliqit, është gjetur në stivën e druve të oborrit të kësaj banese një fitil me gjatësi 20 centimetra dhe një sasi prej 1 kilogram lëndë eksplozive, e dyshuar si një përzierje nitrati dhe nafte, bëri të ditur Policia. Nisur nga pozicioni i Topçiut dyshohet se ngjarja ka lidhje me pozitën e tij si kryebashkiak, ndonëse po punohet dhe për të zbuluar shkak tjetër.

Topçiu rifitoi më 8 maj

Gëzim Topçiu, i kandiduar nga Partia Socialiste fitoi në zgjedhjet e 8 majit për herë të katërt, në krye të Bashkisë së Maliqit. Ai u fut në garë përballë kandidatit të Aleancës për qytetarin, Xhevdet Belishta. Pas numërimit të votave, Topçiu u shpall fitues me 1649 vota, ndërsa Belishta mori 1478 vota. Topçiu siguroi në këtë mënyrë mandatin e katërt në krye të Bashkisë së Maliqit, në Qarkun e Korçës, duke vazhduar punën në krye të institucionit vendor që drejton prej shumë vitesh.

Autorët, të pakënaqur nga mandati im i katërt

Kreu i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, u shpreh dje se vendosja e eksplozivit në oborrin e banesës së tij ka lidhje me shkaqe politike. Sipas tij, ai është zgjedhur për mandatin e katërt në krye të kësaj Bashkie, duke mos përjashtuar dyshimet e tij se lënda eksplozive mund të jetë vendosur nga persona të pakënaqur pas rizgjedhjes së tij në këtë detyrë.
Z. Topçiu, kur mendoni se është vendosur lënda eksplozive që u gjet në oborrin e banesës suaj?
Mund të ketë qenë ora 22:00 e së martës, kur është vendosur pakoja me eksploziv. Nuk di pse nuk ka shpërthyer, por nga sa kam parë hetimet e policisë, fitili i pakos me eksploziv ka qenë paksa i ndezur. Ndoshta për shkak të shiut ose të baltës ku ishte hedhur, nuk ka shpërthyer.
Kur është konstatuar kjo pako me eksploziv?
Ka qenë nëna ime, e cila e ka parë këtë pako mesditën e së mërkurës, pranë stivës së druve, në oborrin e pasmë të shtëpisë sonë. Ajo më ka sinjalizuar dhe unë më pas vura në dijeni policinë.
Mendoni se kjo ngjarje ka të bëjë me detyrën tuaj si kryetar i Bashkisë, rizgjedhjen në një mandat të katërt apo konflikte të tjera personale?
Unë zgjidhem për herë të katërt si kryetar i Bashkisë së Maliqit. Më parë, por edhe në këtë fushatë që shkoi, nuk di të kem krijuar konflikte me ndonjë person, qofshin këto për arsye personale apo politike. Dyshoj se kjo vepër është kryer nga persona të pakënaqur, pas rizgjedhjes sime si kryetar i Bashkisë së Maliqit. Mendoj se eksplozivi është vënë më shumë për të më trembur, sesa për të më shkaktuar dëme mua dhe familjes sime.
Ju vetë, keni dhënë emra të dyshuarish në polici, si autorë?
Jo, unë nuk vë gishtin mbi ndonjë person. Për momentin nuk paragjykoj asnjë, edhe pse deklaroj se janë më shumë motive politike se personale, ato që kanë shtyrë këta persona të venë eksploziv në shtëpinë ku banoj. Nuk mund të them se kë dhe sa persona ka shoqëruar policia për këtë ngjarje, pasi kjo është pjesë e hetimeve. Edhe unë vetë jam thirrur të jap pohimet e mia në polici, kjo është e kuptueshme, por nuk mund të pohoj se si ka shkuar puna e Policisë në zbardhjen e rrethanave dhe zbulimin e autorëve.

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›