E Diel, 1 Nëntor 2026

Librazhd, pranga të riut në lokal, iu gjet gjysmë kg heroinë

LIBRAZHD – Sekuestrohen 500 gramë heroinë, arrestohet një 23- vjeçar nga Përrenjasi. Policia bëri të ditur se Një sasi prej 500 gramësh lëndë narkotike e llojit heroinë është sekuestruar mëngjesin e së mërkurës në rrugën nacionale LibrazhdPërrenjas. Në bazë të informacioneve të sakta të marra nga ana e Policisë, u vu në ndjekje shtetasi Alfred Coha, të cilit iu sekuestrua edhe sasia e mësipërme e lëndës narkotike, bëri të ditur policia. Blutë nuk bënë të ditur të dhëna të tjera se prej sa kohësh e kishin në survejim të riun. Por mësohet se 23-vjeçari është arrestuar, teksa pinte kafe në një lokal në rrugën nacionale Përrenjas-Librazhd. Mbas një kontrolli fizik të imtësishëm, policia konstatoi se në një nga xhepat e brendshëm të xhiboksit të tij ndodhej lëndë narkotike. Paraprakisht, sipas burimeve të marra nga ekspertët hetimorë, mësohet se i riu drogën do ta dërgonte në kryeqytet. Grupi i hetimit nuk bëri të ditur nëse Coha punonte me persona të tjerë, por mësohet se janë duke hetuar për të zbuluar persona të tjerë të implikuar në shpërndarjen e drogës. Policia tha se kishte rënë në gjurmët e të arrestuarit, pas sinjaleve të siguruara në rrugë operative nga ana e agjentëve të Antidrogës. I arrestuari nuk bëri rezistencë në momentin e ndalimit, ndërsa mësohet se ka pranuar akuzën meqë u kap në kushtet e flagrancës.            m.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›