E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy licenca shtesë për rrjetin 3G të telefonisë

Gjergj Erebara

Tenderi hapet në tetor me çmim bazë 4 milionë euro, pritet rritje e konkurrencës për internetin

Gjergj Erebara

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendosi dje të nxjerrë në shitje dy licenca të reja për ofrimin e komunikimit pa tela me brez të gjerë, 3G, me çmim bazë prej 4 milionë eurosh, në një tender që pritet të hapet në tetor.

Ky tender pritet tu japë dy operatorëve celularë, Eagle dhe Plus mundësinë për të hyrë në tregun e internetit me bazë të gjerë dhe transferimit të të dhënave, duke rritur konkurrencën në këtë sektor që sot për sot kontrollohet nga dy operatorë, AMC dhe Vodafone.

Vendimi i autoritetit për të ulur çmimin bazë në 4 milionë euro, erdhi pasi një tender i mëparshëm i kryer vitin e kaluar dështoi. AKEP njoftoi gjithashtu se nuk ka ndër mend të lëshojë licenca të tjera në këtë kategori komunikimi.

Tregu i së ardhmes

Shumë ekspertë besojnë se në një të ardhme jo të largët, pjesa dërrmuese e komunikimit me celular do të kalojë përmes internetit, duke shmangur komunikimin tashmë tradicional të terminimit të telefonatës. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kanë filluar sakaq të përdorin programe të ndryshme për komunikim me mesazhe apo për telefonata, duke shmangur në këtë mënyrë mundësinë e autoriteteve për përgjimin e komunikimit. Duke qenë se programet e përdorura për komunikim përmes internetit janë të shumta dhe ndryshojnë shpesh, shërbimet e ndryshme të përgjimit e kanë shumë të vështirë të zbërthejnë telefonatat apo mesazhet.

Shqipëria lëshoi licencën e parë 2G, që njihet ndryshe si GSM në vitin 1993, ndërsa licenca e dytë u lëshua në vitin 2001. Licenca e tretë, megjithëse u lëshua pak muaj më vonë, hyri realisht në treg në vitin 2007, ndërsa pak kohë më vonë u dha edhe licenca e katërt.

Licenca e parë 3G u dha në fund të vitit 2010 përkundrejt çmimit 31 milionë euro. Autoriteti i Konkurrencës i kërkoi qeverisë pak më vonë të rrisë numrin e licencave për të mos krijuar situatë monopol. Një vit më vonë, u dha licenca e dytë përkundrejt çmimit 15.1 milionë euro. Në total, në rast se tenderi i ardhshëm del i suksesshëm, qeveria do të arkëtojë edhe 8 milionë euro nga shitja e këtyre licencave.

Tregu aktual

Deri në fund të vitit 2011, 283 mijë shqiptarë përfituan akses në rrjetin 3G sipas të dhënave të AKEP, nga të cilët, 249 mijë përdorën aparatet e telefonit celular për të lundruar, ndërsa 35 mijë kanë blerë karta që kryejnë rolin e modemit dhe kanë portë USB për të lidhur me internetin një kompjuter. Në fund të vitit 2011, operatori i parë 3G kishte një vit në treg, ndërsa operatori i dytë kishte vetëm pak muaj. Vrulli i konsumatorëve për të përdorur këtë teknologji tregon se çdo ditë është e rëndësishme për operatorët për të fituar klientë, pasi në tregun e komunikimit, përdoruesit e hershëm të teknologjisë së re janë edhe konsumatorët më të pasur e që sjellin më shumë të ardhura për kompanitë.

Në Shqipëri, sipas AKEP, një në pesë familje përdor internetin rregullisht nga shtëpia. AKEP thotë se në fund të vitit 2011, kishte 161 mijë familje që paguanin internetin rregullisht, si dhe 13 mijë biznese. Norma e penetrimit të internetit është natyrisht më e ulëta në Europë, vetëm 6.2 për qind e popullsisë.

Shqiptarëve u kushton në total komunikimi rreth 500 milionë dollarë në vit. Operatorët e telefonisë celulare, si dhe operatori fiks ndajnë mes njëri-tjetrit 93 për qind të kësaj shume, ndërsa qindra kompanitë e vogla ndajnë pjesën e mbetur.

Dy licenca shtesë për rrjetin 3G të telefonisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›