Ndertimi i HEC-eve ne Qarkun e Kukesit

Burimet natyrore hidrike në Qarkun e Kukësit janë kthyer në një kantier ndërtimesh për shfrytëzimin e tyre. Në Grykën e Vanave përgjatë lumit Luma po ndërtohen 12 hidrocentrale nga kompani vendase e të huaja, që kanë marrë me koncension këtë lloj industrie. Njëri prej hidrocentraleve më të mëdhenj të lumit Luma është në afërsi të fshatit Bele e Lojme. Punimet për ndërtimin e tij janë në një faze delikate të digës. Është cilësuar më i madhi i lumit Luma për shkak të fuqisë së prodhimit të energjisë prej 12 megavatesh. Paralelisht po ngrihen e montohen edhe shtyllat e tensionit të lartë që do ta lidhin me nënstacionin e Kukësit dhe me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike. Afatet për përfundimin e tij do të jenë në vjeshtën e vitit të ardhshëm, ndërsa e gjithë gjatësia e lumit Luma ka marrë pamjen e një kantieri, në të cilin janë të punësuar rreth 300 punëtorë. Njëri prej hidrocentraleve ka vepër marrëse përmes dy tuneleve me gjatësi prej 2.8 km secili dhe diametër 5 m.