Pronat, në qershor 2013 nis kompensimi fizik, gati harta e re e vlerës së tokës
Kompensimi fizik për ish/pronarët do të fillojë në qershor të vitit që vjen. Lajmi është bërë i ditur dje nga vetë ministri i Drejtësisë Eduard Halimi i cili ka shpjeguar se menjëherë pasi të përfundojë shqyrtimi i dosjeve në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të nisë edhe kompensimi fizik i pronarëve. Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të Avenir Pekës si kreu i ri i AKKP-së.
Halimi
Ne kemi përgatitur dy elementë shumë të rëndësishëm të cilët parashikojnë me objektivitet përfundimin e trajtimit të këtyre kërkesave brenda një viti, pra brenda qershorit të vitit të ardhshëm, duke e alternuar qoftë me metodën “prima facie” për t’i dhënë një akselerim shumë më të shpejtë shqyrtimit të të gjithë këtyre dosjeve, qoftë dhe me një riorganizim total të të gjithë Agjencisë së Kthimit të Pronave”, tha Halimi.
Regjistri elektronik
Ministri i Drejtësisë theksoi se tani e tutje do të vihet në zbatim regjistri elektronik, i cili do t’u mundësojë qytetarëve edhe hartën e re të vlerave të pronave. AKKP do të krijojë një regjistër elektronik të të gjitha vendimeve që ka marrë ky institucion të dala nga viti 1993 deri në ditën e sotme, regjistër që do të update-het me të gjitha vendimet e Gjykatave që kanë ndryshuar vendimet e AKKP-së, tha dje Halimi.
Harta e re
Gjithashtu Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim edhe me AKKP, me ekspertë ndërkombëtarë e me shoqatat e ish-pronarëve, po përfundon hartën e re të vlerës. Harta e re e vlerës, do të jetë në përputhje të plotë me çmimet e tregut. Miratimi i kësaj harte do të bëhet brenda javëve që janë në vijim për 10 qarqet e para, për të vazhduar më pas edhe me qarqet e tjera duke përfshirë edhe kategori të ndryshme të sipërfaqeve të pronave dhe të natyrës së pronave që do të plotësojnë të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për ti hapur rrugë fillimit të kompensimit fizik për pronarët. Vitin e ardhshëm do nisë kompensimi fizik,- theksoi më tej Halimi.
Kreu i AKKP
Avenir Peka, që mbante postin e zv/ministrit të Brendshëm, zëvendëson Elvis Çefën, pas votimit të këtij të fundit si nënkryetar të KLD-së. Peka ishte numri dy i Ministrisë së Brendshme që nga viti 2009.