E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Takimi në KQZ, Kim: Financimet e fshehta politike ruse, kërcënim serioz! Kanosje për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion

Financimet e fshehta politike ruse janë një kërcënim serioz dhe kanosje për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion.

Kështu thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA mbi takimin e ambasadores Yuri Kim në KQZ me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi dhe përfaqësuesit e partive politike, ish-kryetaren e PL Monika Kryemadhi, Sekretarin e Përgjithshëm të PS Damian Gjiknuri dhe deputeten e PD, Jorida Tabaku.

Ambasada bën me dije se ky kërcënim nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave.

Po ashtu theksohet se SHBA do të punojë me të gjitha institucionet në Shqipëri për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve.

“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”, shkruan ambasada.

Sipas një zyrtar të lartë të administratës së Joe Biden, Rusia ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende dhe ka financuar me 500,000 dollarë Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017. Lulzim Basha, kreu i PD-së në atë kohë, reagoi duke hedhur poshtë pretendimet dhe duke theksuar se PD nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›