Financimi rus në PD/ Majko: Kjo histori nuk mbyllet këtu, do jepni llogari! Alibeaj: Do përgënjeshtrohesh

Deputeti Pandeli Majko ka folur me tone të ashpra për financimin rus të Partisë Demokratik në zgjedhjet e 2017-tës, pretendim ky i administratës amerikane. Majko ka deklaruar se PD duhet të japë llogari, ndërsa iu është drejtuar deputetëve demokratë se para se t’i kërkojnë llogari mazhorancës për Ilir Beqjan, duhet t’i kërkojnë llogari së pari Lulzim Bashës për marrjen e 500 mijë dollarëve nga Rusia.
“E dini shumë mirë se është emëtuar lajmi i konfirmuar nga administrata amerikane se PD ka marrë 500 mijë dollarë nga fondet ruse. Tani ju lutem mirë do të ishte që kur flasim për fondet europiane të flasim edhe për fonde anti-europiane. Kjo histori nuk ka për tu mbyllur kaq thjeshtë. Ne po flasim për fonde IPA. Përpara se t’i kërkoni llogari Beqës sonë, kërkojini llogari Beqës suaj dhe ky nuk është një faj individual dhe që mbyllet me idenë se proces gjyqësor nuk ka. Është një akuzë që dje është emetuar nga zëri i amerikës e konfirmuar nga administrata amerikane, dilni këtu dhe jepni llogari”, tha Majko.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i demokratit Enkelejd Alibeaj i cili duke iu drejtuar Majkos ka thënë se është i vetmi që nuk duhet të fliste për këtë çështje.
“Më në fund Pandit i qenka shëruar goja. I vetmi që nuk duhet të fliste duhej të ishe ti. Di një gjë, që është e pavërtetë, është makinacion që e ka bërë ai që mungon sot, “Mother Jons-i”, i famshëm. Prit dhe ca orë se do përgënjeshtrohesh, dhe kur të përgënjeshtrohesh, bën mirë të shkosh te dentist”, tha Alibeaj.
/rtsh.al/