Dy mbretër
SITUATA NË KOSOVË
Në secilin vit të pasluftës politikanët na thoshin se UNMIK-u do të shkojë së shpejti dhe se nuk do të ketë më PSSP. Sepse, thoshin të njëjtit, Kosova do të bëhet patjetër e pavarur. Së shpejti, shumë shpejt, proklamonin të sigurt ata, po ikën UNMIK-u: punë e kryer është tashmë. Këtë bindje, që trumbetohej për të mos u diskutuar, atyre ua përforconin edhe PSSP-të të cilët tradicionalisht rrëfeheshin qysh në intervistën e parë se si vetë ai do të jetë PSSP-ja i fundit.
Me kalimin e muajve dhe viteve, njëherë nisën bisedimet për ‘çështje teknike’ e pastaj negociatat për statusin e Kosovës në Vjenë. Atje vetëm sa rriteshin koncesionet ndaj Serbisë dhe pas përfundimit të pazarit me Kosovën dhe obstruksioneve të Rusisë në KS të OKB-së, bërja e pavarësisë nisi të zëvendësohej me shpalljen e saj. U ndryshuan edhe premtimet: thanë se UNMIK-u, e me këtë edhe PSSP-ja, do të shkojnë por se ato praktikisht do të zëvendësohen me misionin përparimtar të BE-së në krye të të cilit do të jetë ICO-ja (International Civilian Office/Zyra Civile Ndërkombëtare), një instancë kjo e ngjashme me PSSP-në ama vetëm formalisht, meqë shumë më e butë politikisht. Në bazë të këtij varianti, s’do të kishte më PSSP, por megjithatë autoriteti më i lartë nuk do të ishin Kryeministri e as Kryetari i Kosovës, por ICO-ja. Nuk vonoi shumë pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj kur mosshkuarja e UNMIK-ut u shty deri te hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës, gjë që njëherazi mendohej se do të paraqiste kohën e tranzicionit të UNMIK-ut, pra transferimit të kompetencave të tij te Qeveria. Sot jemi dëshmitarë se nuk ka tranzicion por rikonfigurim, se nuk ka bartje të kompetencave te Qeveria, por pjesërisht bartje te EULEX-i dhe mbetje të UNMIK-ut në Kosovë. Në vend që PSSP-ja të shkojë, ose edhe në vend që PSSP-ja të zëvendësohet me ICO-në, kemi përfunduar në situatën ku PSSP-së iu shtua edhe ICO-ja. Jo vetëm që nuk mbetëm pa PSSP, por tash i kemi të dy: edhe PSSP-në edhe ICO-në, që të dyja këto instanca sovrane - njëra në bazë të Rezolutës 1244 e tjetra (edhe) në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ja pra se si u kurorëzua aktualisht procesi i këtyre viteve të fundit sa i përket autoritetit suprem në Kosovë, proces ky i cili nga politikanët e Kosovës përgjithësisht u quajt si proces i pavarësimit të Kosovës.
Po të ishim njëmend shtet i pavarur, sovran e demokratik, nuk do të kishte më UNMIK në Kosovë dhe pushteti ekzekutiv i tij do t’i ishte bartur tanimë Qeverisë. Po ashtu, një sërë kompetencash të tjera, në Kosovën e pavarur, sovrane e demokratike, nuk duhet të ekzistojnë fare. Sërish e kam fjalën për kompetencat e PSSP-së, pozita mbretërore e të cilit në vend se të zhbëhej, pas pavarësisë u dyfishua edhe me atë të ICO-së. Lamberto Zannieri dhe Pieter Feith sot janë dy mbretërit në Kosovën e pavarur. Asnjëri prej tyre nuk është votuar nga qytetarët e Kosovës, por që të dy kanë fuqi legale dhe praktike për të shfuqizuar ligje të Kuvendit e për të larguar ministra të Qeverisë nga postet e tyre. Pavarësi se jo mahi!
Për dallim nga Zannieri, mbreti tjetër, Pieter Feith, është ca më i tërhequr. Për dy arsye kryesore. E para, akoma s’ka filluar zbatimi i decentralizimit, ‘eksterritorialitetit’ etj. Dhe, e dyta, Qeveria e Kosovës po e mban të padukshëm Pieter Feithin duke mos e sfiduar atë. Pra, Qeveria e Kosovës duke mos dashur ta bëjë Kosovën sovrane, duke mos dashur ta marrë pushtetin që normalisht i takon një qeverie të një shteti normal, duke përdorur vetëcensurën për ta shmangur censurën, faktikisht po e mbron Pieter Feithin.
Njëri mbret (Zannieri) është lakuriq. Kur do të përfundojë i zhveshur edhe mbreti tjetër?