Speciale/Ja përmbajtja e letrave që dërgonte Osama Bin Laden
Qendra e Kundërterrorizmit e Akademisë ushtarake amerikane “Uest Point” ka botuar dje një dosje që kishte brenda 17 letra të shkruara nga sheiku i terrorizmit, Osama Bin Laden, të cilat u gjetën në vilën e bastisur në Abbottabad të Pakistanit, ku 2 majin e vitit të kaluar shefi i organizatës terroriste Al-Kaeda (Baza) u asgjësua nga skuadra e forcave speciale amerikane, Navy Seals. Dokumenti 175 faqe i paraqitur nga Qendra e Kundërterrorizmit (Combating Terrorism Center) kanë dhe një analizë të përmbajtjes së letrave. Dosja përmban një pjesë të vogël të materialeve të rekuperuara nga kompjuteri personal, nga penat usb-të dhe hard-disqet të gjendura në vendstrehimin e Abbottabad dhe janë shkruar drejtpërdrejt nga ai mes shtatorit të 2006 dhe prillit të 2011, deri 6 ditë para se të vritej. Janë një përmbledhje e letrave:
Për anëtarët - pjesa më e madhe e letrave të botuara flasin për marrëdhënien e vështirë të Bin Laden dhe grupeve afër tij. Sipas analistëve të Kundërterrorizmit është i qartë “frustrimi” i liderit të Al-Kaedës për “paaftësinë” e anëtarëve dhe për operacionet e keqorganizuara që kanë provokuar vdekjen e shumë të pafajshmëve myslimanë (sidomos në Somali dhe Irak). Siç shpjegojnë analistët e Kundërterrorizmit “anëtarët nuk konsultojnë Bin Laden ose nuk janë të gatshëm për të marrë udhëzime”. Në vitin 2010, Bin Laden shkruante edhe që kishte dëshirë të përhapte një deklaratë: “Duhet të themi që po hapim një fazë të re për të korrigjuar gabimet që kemi bërë”.
Për zëdhënësin – sipas disa pasazheve të letrave del në pah roli (shpesh i nënvlerësuar) i Adam Gadahn, amerikani i konvertuar që u bë zëdhënës i Al-Kaedës. Gadahm duket se ishte këshilltari i vërtetë i Bin Laden. Në një letër të janarit të 2011, të dërguar nga Adam Gadahn ndaj një të panjohuri, diskutohet sesi të bëhet propagandë për përvjetorin e dhjetë të atentateve të 11 shtatorit. Flitet për shembull për një dalje të Osama Bin Laden sepse “nuk duhet të harrojmë se ai ka miliona dashamirës në të gjithë botën islamike”.
Për median – Në letrat gjendet edhe një analizë e medieve amerikane që “të gjithë kanë të njëjtin nivel profesionaliteti”, përpos Fox News, që nuk është neutrale. Dhe diskutohet edhe për cilësinë e videove të shpërndara nga Bin Laden: që është thelbësore, përndryshe ka rrezik që “sheiku të mos njihet” dhe mund të mendohet “që mund të ketë vdekur”.
Për objektivat - Në letrat e dërguara jepen disa objektiva për të vrarë, si për shembull përgjatë vizitave zyrtare në Pakistan ose Afganistan, të Barack Obamës dhe komandantit të atëhershëm të forcave amerikane, gjeneralit David Petraeus. Thuhet që nëse zv/presidenti Joe Bajden merr vendin e Obamës do të ishte komplet i “papërgatitur” dhe kjo do t’i dërgonte SHBA-të në krizë.
Për armët - Në një nga letrat e Bin Laden për luftën me avionët pa pilot (dronë) në Pakistan thuhet se ndjekësit e sheikut duken të frustruar. “Vëllezërit tanë në Waziristan thonë se janë të rraskapitur nga bombardimet ajrore”. Aq sa, sipas CNN, lëviznin vetëm kur dita ishte me re. Flitet edhe për një helikopter misterioz rus në qiejt e Algjerisë: “Një lazer që drejton predhat që godasin xhipat, aq të nevojshëm për të udhëtuar në shkretëtirën e Saharasë”. Në letrat duket që anëtarët e Bin Laden kërkojnë para dhe armë për t’ju përgjigjur sulmeve, sepse “muxhahidinët nuk kanë asnjë, asnjë predhë”.
Për pranverën Arabe – Me 26 prill, pesë ditë parase të vdiste, Osama Bin Laden shkruante: “Ajo që ne po shohim këto ditë revolucionesh të vazhdueshme është një ngjarje e madhe dhe e vyer që prek një pjesë të madhe të botës islamike” dhe “do të bëjë që myslimanët të dalin jashtë kontrollit të Amerikës”.
Pak a shumë kjo është përmbajtja e letrave të gjetura të Bin Ladenit. Më parë gjatë javës, shefi i Shtëpisë së Bardhë në luftën kundër terrorizmit, John Brennan, deklaroi se dokumentet vërtetonin pikëpamjen amerikane se SHBA dhe bota ishin më të sigurta pa Bin Ladenin.
Përgatiti L. Lita