E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër përdorimit dhe përgjithësimit!

BESNIK ALIAJ

Ditët e fundit kam ndjekur me vëmendje disa zhvillime – në pamje të parë rutinë – që lidhen me sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri. Arsyeja përse po i shkruaj këto radhë e merr pikënisjen nga publikimi i djeshëm i një skandali në mediat italiane dhe shqiptare mbi quote: … marrjen e një diplome të universitetit Kristal nga djali i politikanit italian Umberto Bossi…, ku, siç nënvizohet në shtyp: … diploma është lëshuar brenda një viti për një person, i cili nuk ka asnjë vulë shqiptare në pasaportë…. Shtysa e dytë vjen nga koincidenca e organizimit një ditë më parë të emisionit Opinion me temë mbi arsimin privat në Shqipëri, ku nga mënyra si u shtjellua debati, u investua për krijimin e një opinioni përgjithësues jorealist, që i mëshon krijimit të panevojshëm të një hendeku midis arsimit shtetëror (theksoj shtetëror, sepse në Shqipëri ende nuk mund të flitet për arsim të lartë publik) dhe atij privat, duke etiketuar dhe përgjithësuar përsëri en block këtë sektor si quote: piramidat e treta shqiptare, pas atyre financiare dhe tullumbaces së ndërtimit…
Kjo shtysë bëhet edhe më e madhe po të sjellim në kujtesë edhe prononcimin publik para disa javësh të liderit të opozitës shqiptare, i cili,, me gjithë respektin tim të plotë për të drejtën parimore që i jep roli i tij për të bërë oponencën e nevojshme ndaj politikave publike, nuk arriti të shpëtojë pa bërë etiketime përgjithësuese negative en block për të gjithë sektorin e arsimit privat, pa përjashtim, sipas një logjike jo të shëndetshme e që kultivon në shkëmbim një frymë jokorrekte ndaj sipërmarrjes private dhe jofitimprurëse në këtë sektor apo tërësi, sipas logjikës bashkë me të thatin të digjet edhe i njomi.
Në reagim të kësaj situate disi të mbarsur, që kultivon pa dashur një ndjenjë stigme dhe urrejtjeje ndaj privates, duke glorifikuar gati në absolutizëm publiken, përveç shqetësimeve mjaft të drejta e qytetare që ngrihen, për fat të keq po stimulohet gradualisht edhe një spirale negative e opinionit publik me objektiva të caktuara politike. Prandaj, në emër të vlerave qytetare personale në të cilat unë besoj, si dhe në emër të institucionit dhe ekipit që përfaqësoj (që veç stafit shqiptar apo nga vende të tjera të rajonit, integron me dinjitet edhe mjaft profesionistë dhe akademikë të nderuar dhe cilësorë italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri), më duhet të bëj një koment të shkurtër me qëllimin që të distancohemi publikisht nga fenomeni në fjalë, si dhe për të protestuar për tendenca të caktuara jokorrekte të manipulimit të debatit publik, duke e ftuar shoqërinë shqiptare, politikanët, mediat dhe opinionbërësit të reflektojmë dhe të reagojmë për të atakuar më pas së bashku me dinjitet dhe gjakftohtësi temën në fjalë. Për fat të keq, në një mjedis ekstremisht të politizuar kjo çështje tenton të banalizohet dhe rutinizohet duke bërë që rasti konkret të rrezikojë të kthehet në tendencë, ndërkohë që çështja në fjalë është tejet jetike për të ardhmen e vendit!
Së pari, duhet të nënvizoj se arsimi i lartë në Shqipëri është një sektor me mjaft probleme për shumë arsye, sa historike, aq dhe ato të një tranzicioni kompleks social dhe politik, ku vëmendja e politikëbërjes ndaj edukimit ka qenë për shumë arsye e shfokusuar. Për më tepër që edhe në vendet më të zhvilluara sot kultura dhe arsimi qartësisht kanë hyrë seriozisht në një fazë krize besimi dhe identiteti. Në këto kushte, gjatë dekadës së fundit, autoritetet shqiptare (të majta e të djathta) arsyeshëm janë detyruar të promovojnë konkurrencën edhe në sektorin e arsimit të lartë, me qëllim që të adresonin problemet e agravuara të arsimit të lartë shtetëror, i cili, në bazë të fakteve të dekonspiruara publikisht po nga mediat që në fillim të viteve 2000, përfshin mjaft raste korruptive të të gjitha formave, si: ryshfete; abuzime seksuale; konkurse false; bllokim të qëllimshëm të kërkimit shkencor; konflikt interesash në promovimin e karrierës, gradave e titujve; ndërhyrje të politikës etj; pa folur për manipulimin ideologjik të së kaluarës…
Prandaj, ndryshe nga logjika dhe përvoja e shumicës së vendeve të BE-së, prezantimi i sektorit privat në vendet e Europës Lindore, e aq më tepër në Shqipëri, më shumë se nevojë ka qenë një domosdoshmëri dhe pjesë e një reforme radikale të vonuar dhe të shumëpritur, që kërkon mirëkuptim! Ky novitet i debatueshëm i këtij shërbimi publik, që në thelb më shumë inspirohet nga përvoja e shkollave britanike dhe Amerikës së Veriut, natyrisht është interpretuar në kushtet e Shqipërisë në disa raste me mjaft korrektesë dhe në disa raste me probleme serioze. Sidoqoftë, pas 10 vjetësh investim, tashmë arsimi i lartë privat në Shqipëri është një realitet i pakontestueshëm me të mirat dhe të këqijat e veta, si çdo fushë tjetër e shoqërisë. Ky sektor ka ndihmuar në zgjidhjen e disa problemeve të agravuara të arsimit të lartë në Shqipëri, që u trashëguan jo pa kosto në vitin 2005, sikurse ka hapur që atëherë dhe sot edhe mjaft problematika të tjera të reja gjatë rritjes, që meritojnë vëmendjen serioze të autoriteteve. Sepse në thelb, për shkak të rrethanave të caktuara historike, Shqipëria po bën sot diçka që disa vende të tjera të botës e kanë bërë 3-4 shekuj më parë, pas arritjeve dhe dështimeve të ngjashme, të cilat duhen përballur me kurajë edhe nga ne, por jo të demonizohen!
Por, momenti i skandalit Bossi, apo komentet e politikanëve dhe opinionistëve të caktuar në Shqipëri apo Itali, nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si një rast për të gjeneruar një stuhi paragjykimi apo gjueti shtrigash dhe lançim publik të një sektori të tërë bashkë me përpjekjet e mëdha njerëzore që po bëhen. Nuk mund të zhbëhen kështu gjërat me një të rënë të lapsit dhe duke i futur të tërë në një kallëp! Përvojën e hidhur të demonizimit dhe lançimit të privates si armik ne e kemi provuar një herë dhe nuk mund të ripërsërisim më gabimet e kaluara. Shkurt, shoqëria shqiptare duhet të heqë dorë nga komplekset dhe paragjykimet që e bëjnë të konsiderojnë sektorin privat si kulak. Aq më tepër të vijojmë me mungesën bizantine të kurajës për tu përballur me të vërtetën dhe problemet, për ti dhënë gjithkujt atë që i takon!
Ky moment spikatës nuk mundet kurrsesi dhe nuk duhet të shërbejë si një rast hakmarrjeje të padrejtë dhe xhelozie tipike ballkanike ndaj të gjithëve! Problemet të cilat janë evidente nuk mund dhe nuk duhet të përgjithësohen, e aq më tepër të etiketohen të gjitha piramida dhe abuzive. Aq më shumë ky moment nuk duhet të shkaktojë tensionim dhe vendimmarrje të nxituar apo kamxhikim të tipit me aksion nga ana e autoriteteve, sikurse është tradita e shoqërisë sonë. Rasti kërkon një operacion të kujdesshëm dhe para së gjithash të moralshëm. Sepse në Shqipëri, për hir të së vërtetës, ka një përpjekje serioze dhe legjislacion modern për të trajtuar me dinjitet dhe seriozitet çështjet e arsimit të lartë në Shqipëri. Problemi është se duhet që këto ligje, si në çdo fushë, edhe në arsim, të zbatohen me rigorozitet dhe përpikëri për të gjithë dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Pra, pas këtij rasti më shumë se kurrë ka ardhur koha që gjithkush të marrë kapelën që i takon. Por, vlerësimi duhet të bëhet mbi bazën e meritokracisë, të punës dhe rezultateve të prekshme, sesa të parimit të gjeneralizimit apo ndëshkimit emocional të trashëguar nga e kaluara. Në të kundërt, nëse ky vend dëshiron të ecë përpara dhe të bëhet pjesë pozitive e BE-se, ai në të gjitha fushat duhet të evidentojë, inkurajojë, përkrahë dhe promovojë inciativat më të mira të tipit best practice; si dhe të kurojë me kurajë duke marrë masat e parashikuara nga ligji ndaj atyre që abuzojnë, nëse për këtë ka prova dhe fakte të qëndrueshme.
Në lidhje me rastin konkret nuk mund të jem as indiferent dhe as pa

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›