U nda nga jeta edhe një...
Homazh për qytetarin fisnik, studiuesin e palodhur dhe përkthyesin poliglot Nestor Nepravishta
Këto ditë u nda nga jeta mësuesi i përkushtuar, studiuesi i palodhur, përkthyesi poliglot, qytetari fisnik, i urti Nestor Nepravishta. U nda i pangopur me lirinë që çeli gonxhet e reja njëzet e ca vjet përpara, qysh se mori rrokullimën diktatura komuniste. Nuk mund të ngopej me aq. Ishin pak, shumë pak, në krahasim me vitet e jetës nën Shpatën e Damokleut, e cila, si plot e plot të tjerëve të sërës së tij, u qëndroi mbi krye kërcënueshëm, që nga nëntori i 1944-s, kur bandat e egërsuara të Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut, të tejngopura me urrejtje klasore, përgjakën Tiranën, vranë e prenë, arrestuan e dëbuan burra fisnikë, hodhën zinxhirët e robërisë mbi fëmijët e tyre.
Duke përkujtuar me dhimbje një ngjarje të turpshme të vitit 1947 në gjimnazin e Tiranës, gazetari i njohur demokrat, Kostaq Xoxa, tregon sesi të rinjtë e atëhershëm komunistë, nxitën një mbledhje që përfundoi me rrahjen e të rinjve që u përkisnin familjeve fisnike, të njohura për veprimtari të spikatura në dobi të Atdheut e të Kombit. Arsyeja: nuk mbështetën pretendimet ekspansioniste të Jugosllavisë së Titos, ndaj trojeve italiane të Triestes dhe të Venecia-Xhulias. Mes të dëmtuarve fizikisht (Reshat Karapici u shtrua në spital!), nuk mund të mos ishte edhe i biri i Abedin Nepravishtës, Nestori, asohere nxënës i klasës së dytë të gjimnazit. Mes fitimtarëve, njeriu i djegur për të drejtat e njeriut në vitet ’90 të shekullit të shkuar, akademiku Arben Puto...
Nestori u lind më 1931 në Korçë, ku i ati ushtronte detyrën e prefektit të Mbretërisë. Një vit më parë, prefekti i Korçës, Abedin Nepravishta, ishte akuzuar si “krishterofob” prej një gazete të cilën e mbështeste KONARE-ja dhe e financonte Moska bolshevike. Përkundrazi, kujtonin të parët e mi, i ati gëzonte mirëkuptimin e të gjitha komuniteteve fetare të qytetit të Themistokli Gërmenjit. Miqtë më të mirë të prefektit Ndeprevishta numëroheshin sa në radhët e parisë myslimane, aq edhe në radhët e asaj të krishtere e vllahe. Gëzimin për lindjen e djalit, ai e ndau me ta, në një darkë të përbashkët. Me atë rast, shpalli dhe emrin e të birit. Nestor, e quajti. Emri, ndonëse me prejardhje pagane, përkujtonte Nestorin e Iliadës, Plakun e Urtë të fiseve greke në Luftën e Trojës. A kishte sfidë më domethënëse për një gazetë që përpiqej të mbillte përçarje mes korçarëve, duke i paragjykuar të krishterët si mbështetës të pretendimeve greke ndaj të ashtuquajturit Epir i Veriut? Ishte mesazhi i mirëkuptimit dhe i miqësisë mes bashkësive fetare të kryeqendrës juglindore të Shqipërisë dhe fqinjëve grekë. Megjithatë, Abedin Nepravishta u burgos si “armik i popullit” qysh të nëntor të 1944, ende pa mbaruar lufta. Doli prej burgu më 1962, që të internohej në Ndërnenas të Fierit, më 1967, deri në vdekje. Padyshim, burgosja e tij afro njëzetvjeçare rëndoi mbi familjen Nepravishta, tashmë të damkosur si e deklasuar.
Nestori u mbijetoi furive të herëpashershme të së mallkuarës luftë e klasave, falë aftësive të veta intelektuale, prirjes së rrallë për të mësuar dhe për të përvetësuar gjuhë të huaja, falë ndershmërisë dhe urtësisë së pashoqe që e karakterizonte. Ndoshta, edhe falë një rastësie, që përgjithësisht vjen për keq, por që ndonjëherë bart edhe një të mirë. Qysh fëmijë, Nestori ka pas ardhur shëndetlig. Jashtë vorbullës së çapkënllëqeve të fëmijërisë, ai iu përkushtua librave. I ati pagoi një mësues privat, i cili i hapi fëmijës rrugën e diturisë dhe të gjuhëve të huaja. Lufta dhe vitet e para pas saj i dhanë mundësinë të njihte përveç italishtes, frëngjishtes dhe anglishtes, edhe gjuhët e lindjes, kryesisht serbokroatishten dhe rusishten. Të dy me Petro Zhejin, kujtonte Nestori, kanë shoqëruar një ekip kineastësh nga ish-Bashkimi Sovjetik, të cilët kishin ardhur për të hedhur bazat e kinematografisë shqiptare.
Më 1949, u emërua mësues në Sarandë, ku dha lëndën e matematikës. Prej andej, u transferua në Lushnjë dhe, më pas (1951 – 1959), në Fier, ku dha lëndë të ndryshme, veçanërisht gjuhë të huaja. Një banesë përdhese tërë lagështi, buzë lumit Gjanica, ku u strehua prej pushtetarëve si i deklasuar që nuk meritonte më tepër, i shkaktoi një poliartrit të rëndë që e shoqëroi deri ditën e fundit të jetës.
Më 1959, Nestori u transferua në qytetin e Vlorës, ku, gjatë viteve 1961 – 1969, dha gjuhë të huaja me zgjedhje, anglisht ose frëngjisht. Teksti i gjuhës frënge për shkollat e mesme, vëllimi i parë pa autor (!), ka dalë prej duarve të Nestorit. Nëpunësit e atëhershëm të botimeve nuk donin që autori i tekstit të sillte në kujtesë të publikut emrin e familjes së njohur Nepravishta, me gjithë këmbënguljen e Vandush Vinçanit, një intelektual komunist i dënuar nga Konferenca e Tiranës për pikëpamjet e tij tolerante, të moderuara. Gjithsesi, në Ndërmarrjen e Botimit të Librit Shkollor - ishte i bindur Nestori - duhet të gjendej ende, deri dje, borderoja që e shpërblente autorin me 30.000 lekë, një shumë e mirë për atë kohë, me të cilën ai bleu një banesë të vogël në Vlorë. Kuadri politik i asohershëm bëhet edhe më i plotë po të shtoj, lexues i nderuar, se, kur Nestori shkroi dramën “Lumi i vdekur”, sipas romanit të Jakov Xoxës, organet përgjegjëse nuk lejuan të vihej emri i tij. Ai e tërhoqi dramën, e cila nuk u vu në skenë.
Edhe më domethënës është një episod i atyre viteve, të cilin po e sjell për të dëshmuar vlerat e Nestorit si njohës i gjuhës frënge. Asohere, tregonte Nestori, u testuan shumë mësues të frëngjishtes prej një ekipi të ardhur nga Franca. Në krye të listës, ndër më të mirët, figuronte emri i Tanush Frashërit, një intelektual i formuar, pasardhës i frashërllinjve të famshëm, sot me banim në Austri, dhe i Nestor Nepravishtës. Francezi që e mori fjalën në emër të ekipit, duke i lavdëruar kryesuesit e listës, shprehu mendimin se ata, që të, dy ishin të aftë për të dhënë mësimin e frëngjishtes në universitet. Me shumë finesë, por me ironi të paskajshme, Tanushi, i cili do të burgosej më pas për “punë armiqësore”, la të kuptohej se atyre të dyve u mungonte kushti politik, për të dhënë mësim në universitet. Sipas Tanushit, atij vetë dhe Nestorit, “mjeku” u kishte rekomanduar klimën bregdetare. Klima e Kryeqytetit u bëkësh dëm...
Qytetarët e Vlorës, të njohur për ndjenjat e tyre atdhetare, ndonëse edhe për mllefet e armiqësitë politike mes vedit, e kanë vlerësuar përkushtimin e Nestorit si arsimtar, pavarësisht anësisë politike që parapëlqejnë. Sot e kësaj dite, shumë ndër ta kujtojnë kurset e gjuhëve të huaja që hapi poligloti Nestor për qytetarët. Më shumë se njëqind, kujton i biri, Doriani, prej të cilave vlonjatë të të gjitha moshave, mësuan të komunikonin dhe komunikojnë ende në frëngjishte, në anglishte, në italishte, në rusishte etj. Megjithatë, kjo nuk i pengoi njerëzit e vegjël e smirëzinj që, në valët e luftës së klasave, “ta ulnin të deklasuarin nga përgjegjësia”. Fillimisht, në tetëvjeçare, më1969, ose, më pas, ta degdisnin në fshat, në Babicë, më1976.
Nestor Nepravishta është nga të rrallët, në mos i vetmi, që ka dalë dy herë në pension. Së pari, si arsimtar, më 1985, pas 35 vitesh aktiviteti të pandërprerë në fushën e mësimdhënies. Së dyti, në vitin 2006, pas 12 vjetësh pune në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Tre vjet më parë, Nestor Nepravishtës iu akordua një pension i veçantë nga ana e Këshillit të Ministrave, për kontributin e tij si përkthyes. Firmën e tij, e mbajnë shumë dokumente me vlera historike-shkencore të përkthyera nga greqishtja e vjetër ose nga latinishtja, nga greqishtja e re ose nga gjuhët neolatine: italishtja e sotme, frëngjishtja, spanjishtja, rumanishtja; nga anglishtja, gjermanishtja, rusishtja, serbokroatishtja, etj. madje edhe nga bullgarishtja, polonishtja ose çekishtja. Kjo çka them, nuk është as ëndërr, as tepri. Gjithkush që e ka njohur Nestorin, do ta pohonte pa më të voglën mëdyshje, duke shtuar se ai ishte një enciklopedi e gjallë gjuhësore. Kurse unë, nga kujtimet që kam për të, mund të shtoj ndonjë episod, si, fjala vjen: Kur vinin në Shqipëri specialistë prej vendeve të Lindjes Komuniste dhe dikush duhet të përkthente nga një gjuhë perëndimore (anglisht ose frëngjisht, në përgjithësi) ose nga rusishtja, në shqipe, Nestori i kudothirrur, miqve u vinte me shaka “kushtin” që edhe ata ta përçonin disi në gjuhën e tyre. Për një poliglot të nivelit të Nestor Nepravishtës, kuptohet lehtësisht përfitimi.
Në pamundësi të rendit gjithë veprimtarinë e tij si përkthyes, mendoj të sjell për lexuesin vetëm disa nga më të spikaturat përkthime. Përmend së pari përkthimin e të gjitha mbishkrimeve nga greqishtja e vjetër në veprën e Teofan Popës “Mbishkrimi i kishave në Shqipëri”, botim i Akademisë së Shkencave, 2000, në bashkëpunim me Kosta Glakonis, i cili, në shenjë respekti për Nestorin, i la vendin e parë si bashkautor-përkthyes, duke u zhvendosur për vete në vendin e dytë. Nga J. F. Fallmeyer, ka përkthyer “Elementi shqiptar në Greqi”; kurse nga F. Babinger dhe nga W. M Leake, përkatësisht: “Fundi i Aranitëve” dhe “Udhëtim në Shqipërinë e vezirëve”. Nuk mund të lë pa përmendur “Bizanti dhe bizantinët”, nga R. Jekins; “Myslimanët shqiptarë në kohën e lëvizjes për pavarësi, 1878 - 1912”, nga P. Bartl; “Traktat mbi parimet e njohjes njerëzore”, nga G. Berkeley, etj.
Mirëpo, jeta qenka e shkurtër, sado që edhe tetëdhjetenjëvjeçare. Ndoshta është rasti të sjell në kujtesë se, si Nestor Nepravishta, shumë ish-të përndjekur politikë nga regjimi komunist, të cilët përjetuan një varfëri të paskajshme lirie dhe mjetesh jetese, po ndahen një nga një prej kësaj jete, të kënaqur vetëm me erën e lirisë, e cila nuk është e mjaftë për të mbijetuar në kushtet e sotme të ekonomisë së tregut. A nuk ka ardhur dita që qeveria të rishikojë procedurat e dëmshpërblimit, të njohura me ligj, sa kohë që shumë syresh marrin frymë ende? Shumica e tyre, tashmë e kanë kapërcyer ku e ku kufirin e moshës së tretë. Këto ditë, e pati radhën Nestor Nepravishta, ta linte në mes, të mos e gëzonte dëmshpërblimin e të atit, Abedinit. Nesër, një tjetër që e ka shkuar në burg një pjesë të jetës... Dita-ditës nga një. Pse jo unë ose ti, bashkëvuajtës që po më lexon?