Dy mijë bileta "me ofertë" për tifozët
Drejtuesit e Tiranës kanë vendosur që t‘u gjenden pranë tifozëve besnikë të skuadrës, në miqësoren prestigjioze që bardheblutë do të luajnë me Milanin. Gjatë një konference për shtyp, ku bënë të ditur skuadrën që do të luajë në "Qemal Stafa", presidenti Refik Halili dhe donatorja Shefikat Ngjela deklaruan nismën e klubit. "Kemi gjetur akordin me ‘Taçi Oil‘, organizatore e ndeshjes me Milanin më 14 tetor, që klubit tonë t‘i lihen në dispozicion 2 mijë bileta", tha Halili. "Këto bileta do t‘u shpërndahen tifozëve tanë dhe natyrisht që çmimi do të jetë më i ulët sesa ai i tregut. Ky është një kompensim që do të bëjmë ne si drejtues për mbështetësit besnikë. Për mënyrën e ndarjes së biletave, do të bëjmë një takim me bordin drejtues dhe aty do të përcaktohet çdo detaj". Ndër të tjera, drejtuesit e kampionëve të Shqipërisë pohuan se vendet për tifozët janë në pjesën qendrore të stadiumit dhe aty nuk do të mungojë dekori. Më tej, duke folur për ndeshjen, Halili shtoi: "Kjo ndeshje është një nder i madh që po i bëhet klubit të Tiranës. Milani është skuadra kampione e botës. Kemi biseduar me të gjithë lojtarët dhe ata janë të angazhuar maksimalisht. Nuk do të dorëzohemi lehtë, madje personalisht shpresoj që ndeshja të përfundojë në barazim dhe fituesi të zgjidhet me gjuajtjen e penalltive (nuk do të ketë kohë shtesë). Mund të duket e tepruar, por Tirana do të tentojë edhe fitoren, në mënyrë që trofeu ‘Taçi Oil‘ të qëndrojë në Shqipëri".