E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pa Bufonin, e mposhtim Italinë"

Në fillim ëndërronte të bëhej si Marko Van Basten. 15-vjeçari Dimitar Berbatov mbeti i mahnitur nga loja e holandezit në Euro ‘96, tentoi ta imitonte dhe u bë tifoz me Milanin. Më pas, erdhi Alan Shirer. Kur ishte ende i ri, bullgari përdorte fanellën e Njukasëllit si pizhame dhe filloi të studionte anglishten. Tashmë është edhe ai në listën e sulmuesve më të mirë në botë: Mançester Junajted dhe Mançester Siti luftuan duke ofruar miliona për shërbimet e tij. Në fund fituan "Red Devils", madje vetë Sër Aleks Ferguson u shndërrua në "shofer", duke e marrë me Bentlin e tij, për të mposhtur konkurrencën e kushërinjve-rivalë.

Sfida - Kur mungojnë vetëm pak orë nga sfida Bullgari-Itali, Berbatov deklaronte i qetë: "Jam i lumtur që Bufon nuk luan. Besoj se të gjithë ndihen në këtë mënyrë. Ai është simboli i Italisë, portieri më i mirë në botë. Le ta pranojmë: jemi mjaft me fat". Lojtari i Junajted nuk e fshehu as habinë për zgjedhjet teknike të Marçelo Lipit: "Prisja që në fushë të zbrisnin Toni dhe Del Piero. Askush prej nesh nuk mendonte se do të luante Xhuzepe Rosi. Ai është një lojtar i ri, nuk mund të mbajë i vetëm peshën e sulmit. Ka nevojë për ndihmë. Italisë nuk i mungojnë kampionët. Xhilardino, për shembull, është një lojtar që mund të rezultojë deçiziv. Në të kaluarën, në sfidat me Italinë kemi dalë nga fusha shumë të zhgënjyer: ky është shansi ynë për të marrë hak. Skuadra e Lipit ka shumë probleme, ndërkohë që personalisht mund të them se prezenca ime në fushë është e sigurt. Ndjehem më mirë". Të martën Berbatov kishte ndjerë probleme në shpinë, ndërsa dje ai rifilloi stërvitjen. "Fillimisht, u tremba. Por, më pas mjekët më qetësuan: nuk është asgjë e rëndë. Tashmë ndihem shumë më mirë. Nuk ka asnjë dyshim që të shtunën do të luaj".

Karriera - 27-vjeçari Berbatov, i zgjedhur katër herë si "Lojtari më i Mirë Bullgar", është krenaria dhe shpresa e vendit të tij: 37 gola në 65 ndeshje me CSKA-në e Sofjes (‘98-‘01), 90 në 196 përfaqësime me Bajer Leverkusen (2001-‘06), 46 në 102 te Totenhemi (2006-‘08). Që prej 1 shtatorit militon me Mançester Junajted, që pagoi për golat e tij 38 milionë euro (plus një lojtar të ri të huazuar). Dy rrjetat e para erdhën në Ligën e Kampioneve, në fitoren përballë danezëve të Alborgut. Gjatë verës që sapo kaloi, Berbatov mund të kishte zbarkuar edhe në Serinë A, mbase të "dashuria" e tij e vjetër, Milani. "Është e vërtetë, konfirmoi ai, futbolli italian më ka pëlqyer gjithmonë. Megjithatë, preferova Anglinë. Ndihem mirë aty... për momentin".

Italia - Për të kërkuar fitoren në Bullgari, Lipi mund të provojë formacionin 4-3-3, megjithatë trajneri ka edhe tre dyshime. Pas provave të shumta, në sulm duket se do të luajë dyshja e Udinezes, Pepe-Di Natale, ndërsa Toni e Xhilardino janë në balotazh. Në dyshim edhe Kielini e Perrota, në vend të të cilëve mund të aktivizohen Gamberini dhe Montolivo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›