E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy mijë predha të Luftës së Dytë Botërore rrezikojnë jetën e banorëve të Otllakut

Gazeta Shqip

Fiks Fare 

Çdo ditë, banorët e fshatit Otllak të Rrethit të Beratit zgjohen me shqetësimin se mos ju ndodh e njëjta gjë si në Gërdec, pasi sipër fshatit të tyre, ata kanë një numër të konsiderueshëm predhash të pashpërthyera. Ka rreth një muaj që është zbuluar prezenca e tyre dhe deri tani, askush nuk ka shkuar për ti hequr prej andej dhe për ta pastruar këtë zonë. Predhat ndodhen të groposura dhe shirat e ditëve të fundit i kanë nxjerrë disa prej tyre në sipërfaqe. Zona ku ato ndodhen është rrethuar me një shirit plastik. Në tokë shikon vetëm një copë letër që të paralajmëron për rrezikun, asgjë tjetër. Nuk ka asnjë roje, asnjë punonjës policie apo të Ministrisë së Mbrojtjes që të ndalojë kalimin e banorëve në atë zonë. Çdokush mund të ecë mes predhave të pashpërthyera dhe ti prekë ato. Paradoksi në lidhje me asgjësimin e këtyre predhave është sepse pronari i tokës në të cilën ndodhen këto municione kërkon dëmshpërblim për kohën që forcat Logjistike të Ushtrisë do të bëjnë asgjësimin e këtyre municioneve. Ndërhyrja e specialistëve të Ministrisë së Mbrojtjes nuk mund të bëhet për shkak të pretendimeve të pronarit të tokës, ndërkohë që rrezikohen qindra jetë njerëzish, për shkak të prezencës së këtyre municioneve. Predhat ndodhen në një sipërfaqe prej 500 m² dhe ka mbi 2000 copë të tilla të pashpërthyera.

Drejtori i Policisë së Qarkut të Beratit pranon se ata janë në dijeni për gjetjen e atyre predhave që në fillim të muajit maj 2012. Ata si drejtori e policisë kanë njoftuar Prefekturën e Qarkut të Beratit dhe Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke pasur parasysh që prania e këtyre predhave është rrezik për banorët e zonës. Sipas tij, i ka kërkuar Komisariatit të Beratit që ta monitorojë 24 orë këtë zonë. Por Fiks Fare vërtetoi se në vendin ku ndodheshin predhat nuk kishte asnjë punonjës policie që të ruante zonën. Drejtoria e Policisë së Beratit është në pritje të ndërhyrjes së specialistëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë që kjo e fundit ka hasur në një pengesë. Pronari i tokës nuk i lejon të futen specialistët në tokën e tij.

Shefi i Brigadës Logjistike, kolonel Perikli Tiko, konfirmoi dje për Fiks Fare se mbi bazën e kërkesës së bërë nga prefekti i Qarkut të Beratit drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, ne kemi marrë për detyrë që të shkojmë të identifikojmë, ti transportojmë dhe ti asgjësojmë këto municione në poligonet e miratuara.

Kjo ministri ka dërguar grupin e kontrollit në vendngjarje, të cilët kanë marrë takim edhe me autoritetet lokale. Ky grup ka bërë inspektimin e këtyre municioneve, i ka fotografuar, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë kërkuar që të bëjnë asgjësimin e tyre. Në vijim ne kemi hasur në problemin me pronarët e tokës që gjatë kohës që ne do të punojmë, duhet ti dëmshpërblejmë ata, thekson koloneli.

Specialistët e ushtrisë janë në pritje që organet e pushtetit vendor tju kthejnë një përgjigje se kur mund të operojnë për grumbullimin e këtyre municioneve.

Dy mijë predha të Luftës së Dytë Botërore rrezikojnë jetën e banorëve të Otllakut burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›